Prishtinë (AsistiOnline) – Njëri ndër trajnerët më të suksesshëm në basketbollin kosovar, trajneri pejan Fabian Gjuka ekskluzivisht për AsistiOnline, ka analizuar rrjedhën e kampionatit që po e lëmë pas dhe serinë finale ndërmjet, Prishtinës dhe Rahovecit.
Gjuka, nuk ka qenë edhe aq i kënaqur me kualitetin e kampionatit garës por ka treguar se cilat nga ekipet, sipas tij ia kanë shtuar vlerën garës.
”Për mendimin tim normalisht, stinori i sivjetmë nuk ka qenë në rangun e kampionateve të më hershme, por Rahoveci e Ponte Prizreni ia kanë shtuar edhe bukurinë edhe cilësinë këtij kampionati që pa to, do të ishte shumë i zbehtë, pres që në stinorin e ri të ketë më shumë cilësi e seriozitet”.
Sipas tij, Prishtina e Rahoveci janë ekipe që e kanë merituar finalen e sivjetme, të ”Play Off”-it.
”Po këto dy ekipe e kanë merituar, por mendoj se edhe Ylli e Ponte Prizreni të ishin njëra prej finalistëve s’do të ishte befasi për shkak të lojërave të mira dhe rezultateve që i kanë arritur gjatë kampionatit”.
Para finales në mes të Prishtinës dhe Rahovecit, ai mendoni se kaltëre bardhët kanë përparësi në këtë seri finale.
‘’Finalja për mu është, më shumë lojë nervash e lojë e taktizimeve, mendoj se të dyja ekipet do të mundohen të luajnë kujdesshëm. Por sa i përket përparësisë në këtë finale, mendoj se Prishtina ka përparësi vinë e jashtme të skuadrës, ndërsa Rahoveci ka vinë e brendshme që mund ta cilësoj si përparësi’’.
Gjuka u shpreh se Rahoveci, mund ti bëjë probleme ekipit kryeqytetas që ka përvojë më të madhe.
‘’Mendimi im është se nëse Rahoveci arrin ta ndalë lojën e shpejtë të Prishtinës, atëherë ka gjasa reale ta fitojë këtë seri” tha Fabiani dhe shtoi se e çudit fakti se si ekipet serioze të Superligës tonë po kanë problem me lojën zonale që po aplikohet ndaj tyre.
“Sa i përket Rahovecit mendoj që nëse aplikojnë lojë më të mençur në sulm e më të dirigjuar, kanë gjasa reale ta fitojnë titullin.
Edhe pse do t’ju duket pak e egzagjëruar, unë mendoj që në këtë finale, Rahoveci ka gjasa reale të triumfoj në qoftë se do të luaj lojë të diciplinuar në sulm’’ shtoi Gjuka dhe e dha një parashikim shumë interesant për gjasat ekipeve për titull.
‘’Unë mendoj se Rahoveci ka shansë 51 përqind, ndërsa Prishtina ka 49 përqind. Prapë potencoj, nëse Rahoveci i shfrytëzon të gjitha përparësitë që i ka në skuadër’’, tha për AsistiOnline, Gjuka.