Prishtinë (AsistiOnline) – Analiza e finales së ‘’Play Off’’-it të Superligës së Basketbollit tonë në konkurencën e meshkujve, vazhdon në serinë e dytë të ndeshjeve.
Njëri ndër trajnerët më të suksesshëm në basketbollin kosovar, Fabian Gjuka ka folur ekskluzivisht për ASISTIOnline, duke analizuar ndeshjen e tretë finale, Prishtina – Rahoveci.
Gjuka ka vlerësuar si shumë interesante këtë seri finale, përderisa ka cekur se nuk është befasi fitorja e Rahovecit në fundjavë dhe barazimi i serisë finale ndaj Prishtinës.
‘’Unë e pata cekur në analizën time para finales, se kjo seri nuk do të jetë e lehtë për Prishtinën, ashtu edhe po del besoj. Rahoveci po luan mirë, përkundër asaj humbje në ndeshjen e parë, të cilën e pësoi shkaku i ç’orientimit total në mbrojtje, por përmirësimet u vërejtën në ndeshjen e dytë’’.
Gjuka thotë se fitorja e Rahovecit nuk do të ishte aspak befasi edhe në Prishtinë, ngase Rahoveci ka cilësi në ekip. Ndërsa për cilësitë e kryeqytetasve, thekson se veçse dihen.
”E kam thënë edhe ndeshjet e para finale, për mua Rahoveci ka potencial që edhe në Prishtinë të triumfoj. Edhe me analizën time të parë, shumica e basketbolldashësve dhe njohësve të Basketbollit kanë pasur kritika e vërejtje në atë intervistë, kur kam thënë se Rahoveci ka përparësi, por edhe në këtë duel mendoj se nëse Rahoveci i shfrytëzon përparësitë që i ka në trapez, për mua edhe nëse triumfon s’do të ishte aspak befasi. E sa i përket Prishtinës, cilësitë e tyre dihen. Kanë ekip jashtëzakonisht cilësorë”.
Gjuka kërkon që për tu ndalur ankesat në drejtim të ndarjes së drejtësisë në këtë finale të kërkohen gjyqtarë të huajë me përvojë dhe të paanshëm.
”E dyta, për të qenë të dyja skuadrat e qeta, do të kishte me qenë e udhës të silleshin gjyqtarë të huaj dhe i gjithë ky presion në gjyqtarë e Federatë do të ndalej. E për mendimin tim, nuk do kishim më presione e ankesa”.
Krejtë në fund, Fabian Gjuka thotë se sonte do të ketë një finale të tretë, shumë interesante dhe pritet të shohim spektakël në parket.
”Mendimi im është se sonte do kemi basketboll cilësorë, për faktin se me lojën e dyte skuadra rahoveciane e kanë kuptuar se edhe ata mund të triumfojnë, normalisht nëse shfrytzojë kapacitetet që i kanë në ekip”, tha për AsistiOnline, Gjuka.