Basketboll

DËSHTON TRANSFERI I FABIT NË TURQI, AI NDIHET I REVOLTUAR ME..

Prishtinë(AsistiOnline) – Përkundër se ishte arritur marrëveshja mes palëve, trajnerit kosovar Fabian Gjuka i ka dështuar ende pa nisur kjo përvojë me skuadrën turke.

Për shkak të mos lëshimit të vizës së punës nga autoritetet turke, Gjuka është prononcuar për AsistinOnline.com në lidhje me këtë çështje dhe përpos dëshpërimit ai ndihet edhe i revoltuar në lidhje me këtë që i ka ndodhur për disa arsyje të cilat i ka renditur si më poshtë.

”Po ka dështuar transferi im në Turqi, shkaku i mos paisjes me vizë të punës. Me gjithë përpjekjet e menagjerit tim dhe të klubit të Karsiyakas, transferi im dështoi për shkak të lejës së punës. Transfer të cilin ma mohoi Federata e Turqisë me arsyetimin dhe rregullin se në Ligën e parë atje, duhet të jesh turk dhe të huajt nuk kanë të drejtë pa vizë pune. Mirëpo kjo duhet të shërbejë si shkollim për Federatën tonë e cila lejon ardhjen e trajnerëve të huaj pa kurrfarë kriteri dhe trajnerët tanë janë në gjendje të mjerueshme.
Lejojnë trajnerë që nuk kanë kurrfarë CV-je, bile lejojnë trajnerë të huaj që në vendet e tyre s’kanë punuar me vite të tëra e në Kosovë për një viti i ndërrojnë nga 3 ekipe e mos të flas për ”ekspertat” e huaj që po na vinë e në vendet e tyre maksimumi ka qenë udhëheqës i gjeneratës U16.

Po në Kosovë ka pasur raste, kur ka ardhur trajneri pa asnjë ditë pune në basketboll, por ka qenë tifoz i flaktë e me profesion ka qenë furrëtar. Para ca kohe në një takim të rastësishëm, Kryetari i Federatës më pati premtuar që gjërat do rregullohen por deri tani asgjë s’ka ndryshuar dhe kjo po shkon keq e më keq. Mos të flas për Shoqatën e trajnerëve e cila ka vite që s’është mbledhur, ku unë edhe vet jam anëtar i bordit apo ndoshta edhe është mbledhur e une s’jam ftuar në asnjë formë, as si anëtar bordi e as si anëtar i saj e mendoj se duhet të punojmë dhe ti vëmë kushte Federatës për kriteret e trajnerëve të huaj që vinë në Kosovë.

Dhe për fund ju bëj apel trajnerëve të Kosovës, kolegëve të mi që të mos pranoni të jeni ndihmës të çfarëdo “trajneri” të huaj sepse po e degradojmë veten. E për këtë më së mire e dëshmon rasti i Superkupës kur Arbnor Rifati i palosi këta ”STRUQNJAKA” të ardhur në Kosovë. Mbetem me shpresë se FBK-ja do të ndërrmarë hapa të nevojshëm për mbrojtjen e trajnerëve kosovarë, sepse nëse vazhdohet kësjtu nuk do të mbetet asnjë trajner i yni”, tha Gjuka i irrituar jashtë mase.

44 vjeçari nga Peja që njihet prej trajnerëve më të trofeshëm në basketbollin e Kosovës, kishte arritur marrëveshje me skuadrën e ”Karsiyaka Carsi Koleji” që bën gara në Ligën e parë turke të femrave, por duket se kushtet e përcaktuara nga autoritetet shtetërore turke për shtetasit e huaj nuk i lejuan këtë përvojë.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.