Basketboll

Trepça radhit sukseset, tjetër tripletë dhe titulli i gjashtë kampion në histori!

KB Trepça, vazhdon të shkruajë historinë e saj në basketbollin kosovar.

Dje mitrovicasit siguruan titullin e gjashtë kampion në histori të klubit dhe të dytin radhazi, duke kurorëzuar një tjetër sezon të jashtëzakonshëm me tripletën e dytë rresht – një arritje e rrallë në sportin vendor.

Përveç titullit të kampionit të Kosovës, mitrovicasit këtë edicion kanë fituar edhe Kupën dhe Superkupën e Kosovës, duke përmbyllur një vit të artë që forcon epokën më të suksesshme në historinë e klubit. Kjo është tripleta e dytë me radhë për Trepçën, që konfirmon dominimin absolut të “xehetarëve” në basketbollin kosovar.

Epoka e lavdisë së Trepçës po ndodh tani. Klubi është duke përjetuar dekadën më të suksesshme që nga themelimi, me plot 11 trofe të fituar në vetëm katër vitet e fundit – një bilanc i pashembullt për këtë skuadër.

Pjesa më e madhe e këtyre sukseseve i atribuohet trajnerit boshnjak, Adis Beçiragiq, i cili ka hyrë në histori si trajneri më i suksesshëm i Trepçës ndonjëherë. Për më tepër, ai është tashmë edhe trajneri i huaj më i suksesshëm që ka punuar ndonjëherë në basketbollin e Kosovës, duke u bazuar në trofetë që ka fituar këtu.

Me profesionalizëm, disiplinë dhe vizion të qartë, Beçiragiq te mitrovicasit ka ndërtuar në vazhdimësi skuadër të frikshme që jo vetëm fiton, por e bën këtë me stil dhe dominim.

Tifozët “Torcida” dhe gjithë qyteti i Mitrovicës janë në festë, duke e përjetuar një nga periudhat më të ndritshme sportive që ka njohur qyteti në dekada. /AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.