Basketboll

GILL FANTASTIK PËR FITOREN E YLLIT NDAJ PRISHTINËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Golden Eagle Ylli ka arritur fitore me shumë vështirësi në xhiron e 25-të në Superligën e Kosovës ndaj Sigal Prishtinës.

Skuadra nga Theranda ka triumfuar ndaj Sigal Prishtinës në një ndeshje shumë interesante me rezultatin përfundimtar të takimit, 86-81, duke i dërguar këta të fundit drejt ”play out”-it

Vendasit e nisën që në start më mirë sfidën, duke fituar dy periodat e para të takimit(20-16, 25-19), ndërsa skuadrat shkuan në pushim me rezultatin, 45-35.

Në pjesën e dytë, Prishtina arriti të këndellet, duke fituar çerekun e tretë, 16-23, por që Ylli reagoi shpejtë dhe nuk lejoi përmbysjen e ndeshjes, duke fituar ngushtë çerekun vendimtar i cili i solli fitoren e sontme.

Amerikani i ardhur para pak javësh, L.G Gill ishte fantastik në fitoren e Yllit sonte me 30 pikë, ndihmuar nga Mitchell Wilbekin me 16 pikë e Demetris Morant me 14 sosh.

Te Prishtina s’mjaftuan për fitore: Nigel Johnson me 21 pikë, Tevin Mack me 15 pikë dhe Fisnik Rugova me 13 sosh.

Pas kësaj fitore, Ylli mbetet në pozitën e dytë në tabelë me 41 pikë, 16 fitore e 9 humbje e Prishtina mbetet e 7-ta me 34 pikë, 9 fitore e 16 humbje.

Në xhiron e ardhshme, Ylli i shkon Vëllaznimit e Prishtina e pret Ponte Prizrenin.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.