Basketboll

PEJA FITON NË ”KARAGAÇ”, NGUSHTON SERINË GJYSMËFINALE NDAJ TREPÇËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra e Pejës ka arritur fitoren e parë në serinë gjysmëfinale ndaj Trepçës.

Verdhezinjët kanë arritur që me shumë mund sot të fitojnë në shtëpinë e tyre në ”Karagaç” me shifrat 72-66.

Rrjedha e takimit ishte shumë interesante me Pejën që e nisi më mirë duke e fituar çerekun e parë 23-12, derisa i dyti i takoi ekipit të Trepçës që u këndell dhe e fitoi atë 10-22, për të shkuar në pushim me rezultatin 33-34.

Në pjesën e dytë vazhdoi loja e ngushtë me Trepçën që e fitoi minimalisht çerekun e tretë 22-23, derisa në periudhën e fundit e cila u stërzgjat shkaku i incidenteve në palestër ndërmjet shikuesve mysafirë dhe vendas, madje edhe u sulmua Rodney Purvis i Trepçës, Peja megjithatë i’a doli ta kontrollojë periodën e katërt dhe vendimtar (17-9), për t’a rrëmbyer fitoren e madhe sot.

Darrius Washington ishte lojtari me më së shumti pikë te Peja me gjithsejt 19 sosh, derisa nga 15 i shtuan Dardan Berisha e Calvin Godfrey e me 10 prej tyre kontriboi Courtney Fells.

Te Trepça nuk mjaftuan kurrsesi për fitore, Rodney Purvis e Drilon Hajrizi me nga 15 pikë, si dhe Amin Hot me 10 sosh.

Tash seria e ndeshjeve ngushtohet 1-2 në favorin e Trepçës, derisa edhe sfida e katërt zhvillohet në ”Karagaç” të enjtën e sipas të gjitha gjasave me fillim nga ora 19:00.

Të kujtojmë se finalisti i parë veçse është caktuar dje, Golden Eagle Ylli i cili në gjysmëfinale mposhti Prishtinën 3-0 në seri.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.