Pjesa e dytë e ASISTIT 498 ekskluzivisht sjell dy yjet që shkëlqyen me dashurinë e tyre të çiltër për basketboll dhe na i shkrinë zemrat, Asdreni dhe Sara. Të dytë janë 12 vjeç, Asdren Begu nga Mitrovica dhe Sara Elshani nga Theranda i duan dhe i përkrahën me zemër skuadrat e tyre dhe na dhanë të gjithëve mësim.
Të gjithëve ju kujtohen pamjet e Asdrenit, djaloshit i cili me lot në sy iu gëzua fitores së Trepçës në Therandë. Ishte kjo një pamje fantastike dhe dëshmi se si përkrahet skuadra e zemrës. Për më tepër, në rrjetet sociale dhe në xhirimet e ndeshjeve e kemi parë edhe Sarën e cila nuk lë ndeshje të Golden Eagle Yllit pa e përcjell dhe zemra i rrah për skuadrën e qytetit të saj. Fotografitë e këtyre dy adhuruesve të rinj të basketbollit kosovar janë bërë virale nëpër rrjete sociale dhe ASISTI ka vendosur që këtë edicion ta përmbyll pikërisht me ata që janë ardhmëria e vendit tonë : me fëmijët dhe rininë e cila po i jep mësim të vjetërve se si duhet të sillemi dhe si duhet ta duam dhe të bëjmë tifo për skuadrat tona.
Por , Sara dhe Asdreni nuk janë tifozët e vetëm në ASIST sepse një rivalitet i madh sportiv u zhvillua edhe përbrenda Klan Kosovës. Mysafirë special janë edhe dy kolegët që u kënaqen me rivalitet gjatë serisë finale Ylli – Trepça dhe me analizat dhe ngacmimet simpatike na qitën lotët e gazit. Kur jemi te gazi, po themi se njëri prej mysafirëve është Gazmend Syla, drejtori i Informacionit në Klan Kosova, tifoz i flaktë i Trepçës së bashku me Kushtrim Reshitajn, njërin prej tifozëve më të flaktë të sportit Therandas në përgjithësi e sidomos Golden Eagle Yllit.
Kushtrimi dhe Gazi e përcollën këtë seri finale brenda e jashtë, në Therandë e Mitrovicë dhe nuk e lanë të vetmuar njëri-tjetrin për asnjë çast.
Kjo bisedë tejet simpatike në ASISTI si temë kryesore ka serinë finale ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Trepçës që ishte shembull për atmosferën dhe ambientin sportiv të krijuar, në Minatori dhe 13 Qershori. Sonte Sara dhe Asdreni, Gazi e Kushtrimi flasin për një basketboll pa vandalizma, pa sharrje dhe pa fyerje, në mënyrë që fëmijët dhe rinia sikurse Sara dhe Asdreni të kënaqen dhe ta shijojnë maksimalisht sportin numër një në vendin tonë: basketbollin .
Adhurues të basketbollit, është bërë një shprehi dhe rregull e pashkruar në mediet kosovare se “vetëm lajmi i keq është lajm dhe të tjerat nuk janë lajme”por në fakt duhet të jetë e kundërta, gjërat e bukura dhe të mira sikurse kjo miqësi ndërmjet Asdrenit e Sarës duhet të jetë shembull.
Andaj, ASISTI me qëllim këtë edicion të basketbollit kosovar po e mbyll me gjëra të bukura.
Mjaft kemi fol sivjet për gjëra të këqija, vandalizma në palestra e jashtë tyre, fyerje e sharje dhe ASISTI po e thekson dhe me këtë dukuri të bukur këtë stinor po e përfundon. Patjetër se kemi me vazhdua me i kritiku e me i luftua vandalizmat dhe të këqijat por kur ndodhin këso gjëra që na e shkrinë zemrën dhe na japin shpresë se e nesërmja e basketbollit mundet me qenë shumë më e bukur si në fushë ashtu edhe në tribuna, ato duhet të qiten në pah.
Sara dhe Asdreni në ASIST janë mënyra më e bukur që ta përmbyllim këtë edicion të Artmotion Superligës me një mesazh për tifozeri të zjarrtë por të pastër, të shëndosh … pa vandalizëm, pa sharrje dhe fyerje që na kanë ardhur në maje të hundës.
Kjo është ajo për çka ASISTI ka punuar nga 2 Tetori 2001… për më shumë se dy dekada.
Ka shpresë dhe gjithmonë besojmë se e mira do ta mposht të keqen dhe se Sara dhe Asdreni janë shembulli më i mirë i kësaj.
Ne të vjetrit vetëm mundemi me marr shembull prej tyre dhe jam i bindur se shumë shpejtë atmosfera në palestrat tona do të jetë sikurse në NBA ku shikuesit dhe tifozët kanë me ardhur me u kënaq me basketboll dhe me e përkrah me zemër skuadrën e tyre, sikurse bënë Sara dhe Asdreni duke na dhënë shembull gjithë neve
Shumë shpejtë pas kësaj, ju pret edhe pjesa e tretë e ASISTIT 498 e cila sjell TOP 10 AKSIONET nga ndeshja e fundit e edicionit, finalja e katërt Trepça – Golden Eagle Ylli.
Na ndiqni !
Komentet janë të mbyllura.