ENDE S’KA DATË FINALE PËR FILLIMIN E STINORIT TË RI NË BASKETBOLLIN E KOSOVËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Edhe pse afati kalimtar veror ka përfunduar zyrtarisht, gjersa kemi hyrë në fundin e muajit gusht, datë zyrtare për nisjen e stinorit të ri nuk ka.
Si zakonisht, garat në basketbollin e Kosovës fillojnë me ndeshjet e Superkupës, por që konfirmim final se kur do të fillojë edicioni i sivjetm ende nuk ka, shkruan AsistiOnline.com
Stinorin e kaluar, gara e lartëcektur ishte mbajtur në fillim të shtatorit dhe me datë 5 ishte përcaktuar edhe skuadra fituese, por këtë vit gjërat ende nuk janë definuar.
Në fakt, Federata e Basketbollit e Kosovës në njoftim të mbylljes së afatit kalimtar e kishte potencuar nisjen e stinorit në garat e Superligës, por jo edhe për Superkupë: ”Në bazë të transferimeve edicioni 2022-2023 pritet që në çdo lojë të ofroj spektakël. Edicioni i ri pritet të filloj me xhiron e parë e cila do të zhvillohet më 10/11 Shtator 2022”, shkruante njoftimi, por siç ka mësuar AsistiOnline.com as këto data nuk pritet të jenë finale dhe me shumë gjasa do të ndryshojnë.
AsistiOnline.com ka provuar të kontaktojë me drejtuesit e FBK-së, për të marrë një përgjigjje zyrtare nga ta në lidhje me datat e fillimit të garave, por në adresën tonë elektronike deri tani ende nuk ka marrë asnjë përgjigjje lidhur me këtë çështje.
Mbetet të shihet gjatë ditëve në vijim, se kur pritet të nis edicioni i ri i garave.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.