Basketboll

Fundi i tetorit e Liga Unike ende pa short dhe kalendar të ndeshjeve

Prishtinë(AsistiOnline) – Liga Unike e basketbollit Mbarëshqiptarë e krijuar nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, ende nuk e ka nisur stinorin e ri.

Kjo garë e basketbollit mes dy shteteve shqiptare, që sivjet shënon vitin e tretë të themelimit, sivjet nuk i ka startuar garat e stinorit të ri, shkruan AsistiOnline.com

Në fakt, Superkupa e saj te meshkujt dhe femrat është mbajtur, por shorti dhe kalendari i garave të stinorit të rregullt ende nuk janë vendosur, e kjo natyrisht që i ka bërë kuriozë dashamirët e basketbollit shqiptar, që të kuptojnë se ç’po ndodh me këtë projekt i cili nisi me shumë bujë.

AsistiOnline.com është interesuar për startin e Ligës Unike, duke u adresuar tek zyrtarët e garës në fjalë e sekretarja e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe njëherazit, anëtarja e bordit të Ligës Unike, Elvira Dushku në një përgjigjje elektronike, ka lënë të nënkuptohet se ende nuk ka ndonjë vendim se kur do të nisin garat, por datat mund të caktohen gjatë ditëve në vijim.

Dje pasdite ne Prizren e kemi pasur mbledhjen e Bordit Drejtues të Ligës Unike ku diskutuam për këto çështje dhe besoj se sot do ti publikojmë vendimet e marra nga kjo mbledhje”, u shpreh Dushku pa dhënë më tepër detaje.

Ishte data 10 Shtator e vitit 2020, ku në një prej parqeve në zemër të Tiranës, ishte nënshkruar marrëveshja për themelimin e Ligës Unike mes dy krerëve të të dyja Federatave (FBK & FSHB), nënshkrimi i kësaj marrëveshje ishte cilësuar si ditë historike për basketbollin e Kosovës dhe Shqipërisë nga drejtuesit e Federatave, por deri më tani organizimi i kësaj ngjarje, lë për të dëshiruar dhe nuk po merret seriozisht as nga klubet, sidomos ato shqiptare.

E themi se nuk po merret seriozisht, ngase jo më larg se sivjet skuadra e Teutës nuk mori fare pjesë në gjysmëfinalen e Superkupës Mbarëkombëtare e kjo i detyroi organizatorët që ta dërgojnë ekipin e Tiranës drejt e në finale, njësoj klubi i Teutës kishte vepruar edhe në disa ndeshje të mëhershme të kësaj gare, duke mos e marrë fare seriozisht.

Siç ka mësuar AsistiOnline.com edhe disa nga klubet kosovare, sivjet kanë pasur rezervat e veta për të qenë pjesë e Ligës Unike, por Federata e Basketbollit të Kosovës ju ka bërë me dije se pjesëmarrja në të është e obligueshme.

/AsistiOnline.com/

 

 

Komentet janë të mbyllura.