Kush e fiton, kush befason – Dardan Berisha flet për EuroBasket-in

0
704
Dardan Berisha, ndeshja Kosova - Estonia

Dardan Berisha, një prej emrave më të njohur të basketbollit tonë, dikur vetë protagonist në EuroBasket me përfaqësuesen e Polonisë, vazhdon ta ndjek me pasion çdo edicion të këtij eventi. “Normalisht që vazhdoj ta përcjell. Sidomos këtë vit është shumë interesant, me shumë ekipe të forta,” shprehet ai, duke theksuar se gara është më e ngushtë se kurrë.

Sa i përket favoritëve për trofeun, Berisha veçon Gjermaninë, Greqinë dhe Lituaninë si skuadra me shanset më të mëdha për të triumfuar. Megjithatë, ai beson se befasia e këtij edicioni mund të jetë Polonia, përfaqësuesja të cilën edhe vetë e ka nderuar me paraqitjet e tij në të kaluarën. “Polonia e ka nisur me një fitore të madhe ndaj Sllovenisë dhe duke marrë parasysh që po luan para publikut të vet, mund të jetë surpriza e kampionatit, kanë skuadër të mirë” thotë ai. Polonia udhëhiqet nga dy emra të njohur në Kosovë si Igor Milicic (trajner) dhe Moris Haxhija (asistent).

Berisha ka përcjellë me vëmendje edhe lojtarët shqiptarë që po marrin pjesë në këtë EuroBasket. Ai vlerëson paraqitjet e Edon Maxhunit me Finlandën dhe Kenan Spahiut e Erxhan Osmanit me Turqinë. “Të tre kanë pasur paraqitje shumë të mira dhe u dëshiroj suksese e arritje sa më të mëdha, si në këtë EuroBasket, ashtu edhe në karrierën e tyre për të ardhmen,” shton Dali.

Duke u ndalur tek Kosova, Dardani flet për gjasat tona për të qenë pjesë e një eventi të tillë madhor në një të ardhme të afërt. “Kosova është pak më mbrapa krahasuar me nivelin e kampionatit evropian, por shpresoj që me shumë punë dhe me gjeneratat e reja në të ardhmen, të arrijmë edhe ne në këtë nivel,” përfundon ai.