Adis Beçiragiç po vazhdon të lërë gjurmë të pashlyeshme si trajner i Bosnjë dhe Hercegovinës. Nën drejtimin e tij, “Dragojt” shënuan një fitore të artë 80-77 ndaj Greqisë së kualifikuar tashmë, duke ringjallur shpresat për kalimin në fazën e 1/16-ës të EuroBasket 2025.

Në një atmosferë elektrizuese në “Spyros Kyprianou Arena”, tifozët boshnjakë festuan një fitore që u shijoi shumë, pavarësisht se Greqia luajti pa Giannis Antetokounmpo. Bilanci tani është 2-2, çka e mban Bosnjën fuqishëm në garë për ta kaluar grupin.

Kur Greqia kishte 11 pikë epërsi në çerekun e parë dhe 13 në fillim të të dytit, Beçiragiç kërkoi reagim dhe skuadra iu përgjigj. Një seri 18-0 jo vetëm që ndryshoi rezultatin në 39-34, por solli edhe një kthesë psikologjike që doli vendimtare për ta vulosur gjithë ndeshjen. Boshnjakët shënuan 15 pikë nga 17 topa të humbur të kundërshtarit, teksa realizuan gjithsej 11 treshe që në fund e bënë diferencën.

Jusuf Nurkić udhëhoqi boshnjakët me 18 pikë & 10 kërcime – 6 prej tyre në fazën e sulmit, ndërsa John Roberson me 18 pikë dhe Edin Atić me 15 sosh ishin ndihmë e madhe për skuadrën fituese.

Lojtarët me efikas te Greqia ishin Kostas Sloukas me 15 pikë dhe 8 asistime dhe Tyler Dorsey me 14 pikë.

Kjo ishte vetëm fitorja e dytë historike e Bosnjës ndaj Greqisë në 10 takime, por ndoshta më e rëndësishmja deri më sot. Pas këtij triumfi Bosnja hyn me besim të plotë në ndeshjen vendimtare kundër Gjeorgjisë të enjten. Greqia nga ana tjetër e mbyll fazën e grupeve përballë Spanjës.