Under Header

spot_img

Artan Mehmeti me analizë interesante për ndeshjen Kosovë-Sllovaki

spot_img

Ish-reprezentuesi i Kosovës dhe legjenda e Trepçës, Artan Mehmeti, ka dhënë një analizë profesionale në prag të përballjes mes Kosova dhe Sllovakia, që zhvillohet në palestrën Sezai Surroi.

Mehmeti e vlerëson këtë sfidë si një përballje të fortë, por me mundësi reale për rezultat pozitiv.

“Ndeshja e sontme në palestrën ‘Sezai Surroi’ pritet të jetë mjaft interesante, por edhe e vështirë për ne. Përballë do të jetë Sllovakia, një kundërshtar që tradicionalisht ka qenë i vështirë, por rrethanat këtë herë krijojnë një mundësi pse jo edhe për fitore.”

Ai thekson se Kosova do të paraqitet pa dy lojtarë shumë të rëndësishëm dhe kjo ndryshon balancën e ekipit.

“Kosova futet në këtë ndeshje pa dy lojtarë shumë të rëndësishëm, Dardan Berisha dhe Drilon Hajrizi. Përvoja dhe lidershipi i tyre mungojnë, por pikërisht këtu fillon sfida për gjeneratën e re.”

Sipas tij, kjo është mundësia që lojtarët e rinj të marrin përgjegjësi në parket.

“Ky është momenti që lojtarët e rinj si Mala, Kapiti, Shoshi, së bashku me përvojën e Tmusiqit, Myles dhe të tjerëve, të marrin përgjegjësi dhe të tregojnë karakter.”

Duke analizuar kundërshtarin, Mehmeti thekson se edhe Sllovakia mund të ketë mungesë të rëndësishme.

“Edhe mysafirët do të jenë pa lojtarin e tyre kryesor Vladimir Brodziansky, një qendër dominante që shpesh luan me shifra double-double.”

Ai paralajmëron se rreziku kryesor mund të vijë nga një tjetër basketbollist i skuadrës sllovake.

“Për momentin, rreziku kryesor për Kosovën mund të vijë nga combo guard-i amerikan David DeJulius, që pritet të debutojë, një lojtar shumë i shpejtë që shënon pikë në pozita të ndryshme.”

Në aspektin taktik, Mehmeti thekson rëndësinë e kontrollit të kërcimeve dhe mbrojtjes agresive.

“Brodziansky do të mungojë dhe Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë avantazh duke kontrolluar kërcimet dhe duke rritur agresivitetin në mbrojtje për të minimizuar lojën e DeJulius.”

Ai veçon edhe rolin e publikut në Prizren si faktor shtesë.

“Një avantazh tjetër i yni është atmosfera në Prizren. Publiku në Prizren di të krijojë presion të madh për kundërshtarin dhe energji pozitive për ekipin tonë. Në ndeshje të tilla, shpesh ‘lojtari i gjashtë’ bën diferencën.”

Në fund, Mehmeti beson se çelësi i suksesit do të jetë disiplina dhe lufta për çdo top.

“Nëse ekipi ynë luan me disiplinë në mbrojtje dhe lufton për çdo top, kjo ndeshje mund të kthehet në një fitore shumë të rëndësishme për ne”, tha Mehmeti për AsistiOnline.com

Per tu lexuar

spot_img

Të ngjajshme