Basketboll

ITOUDIS: MBYLLJA E STINORIT, VENDIM I MENÇUR I DREJTUESVE

Prishtinë(AsistiOnline.com) – Njëri ndër trajnerët më të mirë i viteve të fundit në Evropë dhe më gjerë, greku Dimitri Itoudis ka thënë se vendimi i krerëve të Euroligës për të mbyllur stinorin pa kampionë është vendim i mençur.

Kryetrajneri i CSKA Moskës, foli pas vendimit të Euroligës që përfundimisht të anulojë sezonin 2019-20 pa e emëruar një kampion, duke deklaruar se ishte një veprim i mençur.

Një vendim i vështirë dhe kohë e trishtuar për Euroligën dhe basketbollin. Në të njëjtën kohë, unë mendoj se ata që janë përgjegjës, duke marrë parasysh rrethanat, morën një vendim të mençur, të cilin unë e mbështes plotësisht. Të gjithëve na pëlqen të garojmë, duam të kurorëzojmë kampionin, por për fat të keq, këtë vit kampion është COVID-19. Dhe për ta mposhtur atë, nevojitet përgatitje e përshtatshme. Dua të falënderoj pronarët tanë dhe të gjithë sponsorët, dhe tifozët për durimin e tyre. Do të na duhet kohë për të pranuar realitetin e kësaj epoke të re, për ta kontrolluar situatën“, tha Itoudis.

Itoudis premtoi gjithashtu se ai së bashku me Presidentin e CSKA Andrey Vatutin do të krijojnë ekipin më të fortë në kushtet aktuale.

Ne do t’i shqyrtojmë të gjitha mundësitë për këtë. Duhet të jetë e qartë, për shkak të një pauze shumë të gjatë, paraprakisht duhet të fillojmë më herët me përgatitjet, dhe stafi ynë stërvitor do të marrë vendimin më të mirë për këtë çështje”, shtoi ai. /AsistiOnline

Komentet janë të mbyllura.