Basketboll

IN MEMORIAM: BELUL BEQAJ (1957 – 2022)

KRYETARI I CILI UDHËHOQI BASKETBOLLIN KOSOVAR GJATË PERIUDHËS SË REZISTENCËS DHE LUFTËS PËR ÇLIRIM DHE NISI REVOLUCIONIN E BASKETBOLLIT NË VENDIN TONË

Të dielën me 25 Shtator 2022, në moshën 65 vjeçare ka ndërruar jetë Belul Beqaj , kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës nga viti 1992 deri më 2006.

Belul Beqaj ishte një prej personaliteteve më të shquara të jetës në Kosovë në përgjithësi, si asaj sportive por edhe politike dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe Pavarësisë së saj.

Beqaj ishte kryetar i FBK-së në periudhën më të vështirë të mbijetesës së sportit kosovar, gjatë viteve të 90-ta kur sporti persekutohej nga regjimi okupues i Serbisë. Gjatë viteve kur Kosova po luftonte për t’u çliruar, Beluli mori përgjegjësin për ta udhëhequr basketbollin dhe së bashku me gjithë ata që punuan gjatë kësaj periudhe kontribuan që ky sport të mbahet gjallë.

Për më tepër, Belul Beqaj si politolog dhe njeri i penës e librit, ishte edhe njeri atdhetar dhe me guxim . Në kohët më të vëhstira për vendin tonë, ai iu bashku Luftës Çlirimtare të Kosovës në cilësi të këshiltarit kryesor të Drejtorit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më vonë edhe udhëheqësit të UÇKs Hashim Thaqit.

BASKETBOLLI HUMBI KRYETARIN I CILI E NISI REVOLUCIONIN E KËTIJ SPORTI NË VENDIN TONË PAS LUFTËS

Menjëherë pas luftës, gjatë viteve 1999 dhe 2000 Beqaj vazhdoi të ushtroi rolin e krye-këshilltarit të, asokohe kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës por më vonë u tërhoq dhe iu kthye profesionit të tij dhe jetës akademike, në cilësi të profesorit dhe hulumtuesit të shkencave politike.

Njëherësh, Beqaj vazhdoi të udhëheq Federatën e Basketbollit të Kosovës me shumë sukses duke kontribuar në Boom-in e këtij sporti dhe krijimin e periudhës e cila edhe sot e kësaj dite mbahet në mend dhe quhet Periudha e Artë e Basketbollit Kosovar.

Paralelisht me këtë, nga viti 2000 , FBK nën lidershipin e Beqajt nis rrugëtimin e gjatë për ndërkombëtarizimn e basketbollit kosovar dhe pranimin në FIBA. Ishin kontaktet direkte me ish Sekretarin e Përgjithshëm të FIBA Botës më vonë Sekretarin Gjeneral të Nderit të FIBA-së, Bora Stankoviqin ato të cilat e nisën këtë rrugëtim. Pavarësisht nga armiqësia politike dhe pengesat të që Serbia ia bënte basketbollit kosovar, Beqaj asnjëherë nuk pushoi përpjekjet për të gjetur mënyrë se si ta ndërkombëtarizoj basketbollin kosovar.

BEQAJ ORGANIZOJ SEMINARIN E PARË NDËRKOMBËTARË PËR TRAJNER ME LEGJENDËN BOTËRORE, ARBËRESHIN GIUSSEPE “PINO” GIERGGIA

Në janar të vitit 2002, në Brezovicë organizoi Kampin e Parë ndërkombëtarë të trajnerëve nën udhëheqjen e legjendës kroate dhe evropiane të basketbollit, arbëreshit nga Zara,  Gjyzepe Pino Gjergja dhe me përkrahjen e miqve nga Mali i Zi, posaçërisht mikut të tij, ish basketbollistit dhe asokohe kryeministrit Milo Gjukanoviq.

Më vonë, organizoi hapjen e Shkollës së lartë për Trajner të Basketbollit në bashkëpunim me Fakultetin e Kulturës Fizike dhe me mentor Borislav Sinkoviqin , një figurë e shquar e basketbollit kroat, profesor e trajner që ka punuar në ngritjen e Kukoqit e Dino Radjës.

PJESËMARRJA E PARË NË GARAT NDËRKOMBËTARE (KBF UNIVERSITETIT NË TROCAL LEAGUE) MBANË NËNSHKRIMIN E BELUL BEQAJT

Pavarësisht nga pengesat dhe obstrukcionet e politikës serbe, Belul Beqaj në Qershor të vitit 2003, arriti që të antarësoj basketbollin femëror në Ligën Trocal ku do të merrte pjesë Universiteti i Prishtinës. Ky lajm dhe kualiteti i basketbollit që luhej asokohe në elitën e basketbollit kosovar, pavarësisht prej fakti se FBK nuk ishte anëtare e FIBA-së ishte kryelajm dhe ktheu sytë e opinionit ndërkombëtarëe kah Kosova.

BEQAJ ISHTE ARKITEKT I DEBUTIMIT HISTORIK DHE TRIUMFAL TË PËRFAQËSUESES SË KOSOVËS NË ARENËN NDËRKOMBËTARE (ALEKSANDRIA 2005)

Për më tepër, kurrë nuk do të harrohet dhe në shitori të basketbollit kosovar është shkruar me shkronja të arta debutimi i Përfaqësueses së Kosovës në arenën ndërkombëtare në vitin 2005 dhe turneun në Aleksandri të Egjiptit ku Kosova mposhti nikoqiren, e cila ishte kampione e Afrikës dhe Rumaninë, asokohe e 27 në Botë.

Thjeshtë thënë, Belul Beqaj si kryetar i FBK-së ishte pionier i basketbollit të pavarur kosovar nga viti 1992 dhe njeri i cili hapi shumë shtigje dhe trasoi rrugën të cilën e vazhduan pasardhësit e tij.

Megjithatë, periudha kohore në të cilën ka punuar Beqaj, kushtet dhe rrethanat e vështira në të cilat ka udhëhequr basketbollin e Kosovës ishin jashtëzakonisht të vështira dhe vetëm një njeri si Belul Beqaj, me shumë dituri, mendjemprehtësi dhe guxim ka mundur t’a udhëheq anijen e basketbollit kosovar nëpër ujëra të egra dhe stuhi të mëdha, drejtë ujërave të qeta dhe një të ardhme e cila u përmbyll me pranimin e Kosovës në FIBA, në vitin 2015.

Më së miri për këtë flet pasardhësi i Belul Beqajt dhe kryetari i FBK-së gjatë periudhës 2010-2013 , Fatmir Gashi

DEKLARATA E FATMIR GASHIT – KRYETARIT TË FBK 2010-2013   (03:35 – 04:12)

Puna dhe vepra e këtij njeriu të madh nuk do të harrohet kurrë dhe udhëheqësve aktual të FBK-së iu mbetet përgjegjësi e madhe që ta respektojnë dhe vlerësojnë në mënyrë meritore, punën e këtij njeriu të madh dhe të guximshëm.

Belul Beqaj ishte i pathyeshëm, stoik dhe njeri që qëndroi besnik parimeve të tij, një lider i basketbollit kosovar në kohët më të vështira për vendin dhe sportin, njeri i cili trasoi rrgën drejt pranimit në FIBA dhe atë që basketbolli është sot.

Belul Beqaj u nda nga kjo jetë por vepra dhe puna e tij mbetet si kujtim dhe model për t’u ndjekur.

Pusho i qetë, Belul Beqaj, ti njeri i mirë !

 

Komentet janë të mbyllura.