KB Trepça ka reaguar publikisht ndaj gjendjes alarmante në të cilën është lënë palestra “Minatori” nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës pas përfundimit të ”destinimit” për çka e shfrytëzuan, duke shprehur indinjatë të thellë për mënyrën e trajtimit të këtij objekti sportiv me rëndësi të veçantë për qytetin e Mitrovicës.
Sipas reagimit, klubi mitrovicas ka investuar mbi 100 mijë euro gjatë katër viteve të fundit në mirëmbajtjen e palestrës, me qëllim që të mos lejohej degradimi i saj. Nga këto investime, siç theksohet, kanë përfituar edhe klubet e tjera që e shfrytëzojnë të njëjtin objekt.
Situata, sipas KB Trepçës, është përkeqësuar ndjeshëm pas veprimeve të KQZ-së dhe KKZ-së, të cilat e kanë lënë palestrën në gjendje të mjerueshme. Në reagim thuhet se në parketin e palestrës, për të cilin janë investuar mjete të konsiderueshme nga MKRS-ja, janë shkaktuar dëme dhe janë lënë shpuza cigareje, duke e bërë pothuajse të pamundur zhvillimin normal të stërvitjeve.
Klubi e cilëson këtë situatë si papërgjegjësi totale ndaj sportit dhe pronës publike, ndërsa alarmon edhe për mungesën e subvencioneve komunale për klubet sportive gjatë vitit 2025, duke theksuar se sporti po mbahet gjallë vetëm përmes sakrificës.
Në reagim theksohet se palestra “Minatori” shfrytëzohet nga mijëra qytetarë dhe sportistë gjatë vitit dhe meriton trajtim serioz dhe veprim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse.
KB Trepça i ka bërë thirrje kryetarit të ri të Komunës, z. Faton Peci, që të angazhohet që palestra të shërbejë vetëm për sport, për çka edhe është e destinuar, si dhe të kërkojë përgjegjësi nga organet që nuk e kanë dorëzuar objektin në gjendjen në të cilën e kanë pranuar.
Në fund, klubi u bën thirrje qytetarëve që të jenë të pranishëm të mërkurën në palestër, duke theksuar se zhvillimi i ndeshjes në kushte të volitshme është bërë i mundur falë angazhimit të stafit, punëtorëve të palestrës dhe përkushtimit të vetë klubit. /AsistiOnline.com/
Reagimi i plotë dhe pa ndërhyrje i KB Trepça:




