Z MOBILE PRISHTINA FITON ME SHUMË VËSHTIRËSI NDAJ PONTE PRIZRENIT
Prizren (AsistiOnline) – Me rezutat 83:94, Z Mobile Prishtina ka fituar ndeshjen tejet interesante dhe të vështirë në udhëtim ndaj Ponte Prizrenit në ”Sezai Surroi”, përballje kjo e mbetur nga xhiro XXI pasi të mërkuren e kaluar, prishtinasit kishin zhvilluar duelin e kthimit të FIBA Europe Cup TOP 16 kundër Pallacanestro Vareses, në Itali .
Fundori Divine Myles ishte lojtari më i dobishëm prishtinas me 27 pikë dhe përqindje fantastike për 2 pikë dhe efikasitet maksimal nga gjuajtjet e lira (7-10 2 pikë ; 7-7 Gjuajtje të lira). Myles po ahstu shtoi 7 asistime dhe 4 kërcime. Megjithatë, ishte basketbollisti më i mirë kosovar, Dardan Berisha ai i cili realizoi double- double fenomenal prej 24 pikëve dhe 11 asistimeve, ndërsa shtoi edhe 5 kërcime. I shkëlqyeshëm në këtë duel ishte edhe alo Rodney Bullock i cili kontribuoi me 19 pikë e 7 kërcime.
Tek Ponte Prizreni, pesë lojtarë shënuan pikë dyshifrore kurse hiç më pak se tre prej tyre realizuan double double dhe që të gjithë me nga 10 kërcime.
Amerikani Malcolm Canada e përmbylli ndeshjen me 19 pikë e 10 kërcime dhe shtoi 5 asistime, kapiteni Qëndrim Ajazaj luajti me 16 pikë e 10 kërcime kurse gjiganti Urim Zenelaj ishte lojtari me indeksin më të lartë pasi shënoi 12 pikë e 10 kërcime ndërsa shtoi edhe 4 asistime e 2 bllokada. Pikë dyshifrore realizuan edhe Eliott Cole (13 p, 3 krc, 4 as) por me përqindje të dobët për treshe (2-11 3p) dhe Ergin Grosha (10p, 4 krc) që përkundrazi ishte i pagabueshëm nga çdo pozitë (4-4 2p; 2-2 gj.l )
Pa dyshim se largimi i qendrës Khalid Boukichou ka lënë zbrazëti në pozitën e qendrës dhe mungesa e kapitenit Edo Azemit të lënduar po vërehet sidomos në mbrojtje. Kjo ka reflektuar menjëherë me dy fitore të vështira në përballje me Trepçën e cila përpak sa nuk i shkaktoi prishtinasve disfatën e parë sivjet ndërkohë, telashe të mëdha paten edhe me Ponte Prizrenin
Në fakt, çereku i parë ishte katastrofal për Z Mobile Prishtinën dhe loja fantastike e vendasve të cilët pas barazimit prej 4:4 ( min. 4′ ) , në 5 minutat e ardhshme realizuan seri 15-4 për ta ngritur epërsinë në +11 (19:8), mirëpo ishte Meriton Ismajli i ri ai i cili realizoi treshe për mysafirët dhe ju mundësoj pikë dyshifrore në çerekun e parë (11) kurse Ergin Grosha me dypikëshin e tij vendosi rezultatin final të kësaj pjese të lojës 21:11. Ishte ky çereku më i dobët i kaltër e bardhëve në këtë edicion.
Megjithatë, në çerekun e dytë, prishtinasit u këndellën dhe shtuan tempin e lojës duke imponuar lojën e stilit “run n’gun” dhe në këto dhjetë minuta , në total u shënuan 60 pikë, 26:34 për mysafirë. Kjo ndodhi duke i falenderuar dyshes amerikane Bullock-Myles e cila thjeshtë eksplodoi ndërsa Rodney Bullock shënoi 13 nga 19 pikë dhe 5 kërcime nga 7 sa ishte totali i tij në këtë duel. Playmakeri Divine Myles po ashtu shënoi pikë dyshifrore në këtë çerek, gjithsejt 11 sosh dhe realizoi 3 asistime ndçrsa dy fundorët reprezentues të Kosovës, Dardan Berisha dhe Mikaile Tmusiq shtuan nga 5 pikë e 3 asistime secili. Si rezultat, prishinasit ngushtuan avantazhin e prizrenasve në vetëm 2 pikë dhe pjesa e parë përfundoi me shifrat, 47-45.
Me t’u kthyer në parket pas pushimit, në çerekun e tretë, Prishtina e morri kontrollin e plotë të ndeshjes dhe e përmbylli me 25:16 duke e anuluar minusin dhe në fund, pas 30 minutave doli në epërsi prej 7 pikëve.
Në çerekun e fundit, Prishtina vetëm se e konfirmoi fitoren duke e kontrolluar lojën me kujdes dhe mposhtur Ponte Prizrenin me shifrat finale, 83-94.
Me këtë fitore, kaltër e bardhët nga kryeqyteti mbeten të pamposhtur në elitën e basketbollit tonë përderisa Ponte Prizreni vazhdon ta ruaj pozitën e katërt e cila garanton përparësinë e terrenit vendas në çerekfinalen e Play Off-it.
Komentet janë të mbyllura.