Basketboll

Z MOBILE PRISHTINA – PONTE PRIZRENI 106:71 (Video)

SUPERLIGA – XHIRO 28

Z Mobile Prishtina ka hyrë në histori të basketbollit kosovar duke u bërë skuadra e parë e cila e ka përfunduar pjesën e rregullt të kampionatit pa humbje, pasi të shtunën mbrëma në ndeshjen e xhiros së 28-të dhe të fundit, mposhti Ponte Prizrenin me rezultat të thellë 106:71.

Pra, kaltër e bardhët bëhen të parët me sukses të 100% prej 28 fitoreve në 28 ndeshje.

Në fitoren historike e cila ju solli epitetin e skuadrës së vetme deri tash të pamposhtur gjatë tërë kampionatit, 7 basketbollistë realizuan pikë dyshifrore kurse dyshja vendore Fisnik Rugova e Meriton Ismaili ishte e shkëlqyeshme.

Fisi ishte koshashënuesi më i mirë i ndeshjes me 20 pikë të realizuara por ajo që befasoi tek ai ishte efikasiteti për 3 pikë, pasi bombardoi 6 herë nga 9 tentime.

Me një pikë më pak u dallua Meriton Ismaili ndërsa djaloshit të “artë” prishtinas sërish i punoi për mrekulli snajperi i tij.

Meritoni qëlloi 4 treshe nga 5 tentime dhe përpos 19 pikëve, shtoi 6 kërcime dhe vodhi 2 topa nga kundërshtarët.

Shfaqje të mirë pati edhe dyshja amerikane Myles – Bullock.

Myles shënoi 18 pikë e 8 asistime kurse Bullock 17 pikë e 7 kërcime.

Listën e lojtarëve realizues të pikëve dyshifrore tek Z Mobile Prishtina e përmbyllën Valon Bunjaku dhe Mikaille Tmusici që shtuan  pikë identike, nga 10 sosh secili, mirëpo Valoni pati edhe 7 kërcime e 5 asistime.

Tek Ponte Prizreni lojtarët nuk ishin në nivel të detyrës dhe vetëm dy realizuan pikë dyshifrore.

Malcolm Canada ishte më efikasi me 17 pikë kurse përkrahu e pati Blend Matoshin me 13 tjera.

Sa i përket lojës, ajo ishte e balancuar vetëm në çerekun e parë, madje në minutin e 7 të takimit, pas dyshes së Uallerit, Ponte krijoi epërsi prej 6 pikëve (10:16) mirëpo në 3 minuta e 23 sekondat e fundit të kësaj pjese “bardh e kaltrit” ndërmarrin seri prej 11 me 2 për ta përmbyllur çerekun e parë me plus prej 3 pikëve (21:18).

Në çerekun e dytë, Z Mobile Prishtina filloi shkëputjen graduale në rezultat dhe kur kishin mbetur edhe 40 të qindtat e sekondës deri në fundin e pjesës së parë, Meriton Ismaili me këtë dypikësh krijoi epërsinë më të lartë deri në atë çast , 50:37.

Në çerekun e tretë, fal bombardimeve për tri pikë të Meriton Ismailit dhe Fisnik Rugovës,  si dhe me efikasitetin për 2 pikë të Mylesit dhe Bullockut, prishtinasit realizuan 37 pikë kurse Ponte Prizrenit i lejuan vetëm 16 dhe kështu,  pas 30 minutave ngritën avantazhin në +34     (87:53).

Në fakt, 10-minutëshi tretë doli të ishte vendimtari për fitoren dhe shkëputjen e madhe në rezultat të Z Mobile Prishtinës, pasi çereku i katërt ishte shumë i balancuar dhe përfundoi me vetëm 1 pikë dallim për vendasit, 19 me 18, mirëpo kapitali i krijuar në çerekët 2 dhe 3,  bëri që semafori në fund të tregonte 106:71 për kryeqytetasit.

Pas kësaj fitore, Z Mobile Prishtina hynë në histori të basketbollit kosovar si skuadra e vetme që nuk ka pësuar asnjë dusfatë në pjesën e rregullt të kampionatit dhe në gjysmëfinale të Play Offit  pret fituesin e serisë çerekfinale Bashkimi – Trepça.

Sa i përket Ponte Prizreniy, me këtë humbje edhe zyrtarisht e përfundoi sezonin në pozitën e gjashtë dhe në çerekfinale të Play Off-it do të ndeshet me Rahovecin.

 

 

Komentet janë të mbyllura.