FINALISTËT E VITIT TË KALUAR, SOT HAPIN GJYSMËFINALEN E SUPERLIGËS
Prishtinë (AsistiOnline) – Ditën e sotme do të nisin gjysmëfinalet e shumë pritura të ‘’Play Off’’-it në Superligën e basketbollit kosovar.
Në përballjen e parë, fati ka rastisur që të takohen dy ish-finalistët e vitit të kaluar. Z Mobile Prishtina – Bashkimi, këta të fundit janë kampionë aktual të Superligës.
Ndërsa, rivaliteti i madh i dy skuadrave ndër më të vjetrat në basketbollin kosovar pritet të na përcjell edhe sivjet.
Z Mobile Prishtina që sivjet luajti në garat evropiane, ishte përforcuar para fillimit të garave jashtëzakonisht shumë. Edhe pse disa lojtarë që kishin barrën kryesore në garat evropiane janë larguar, Prishtina ka arritur ta ruajë boshtin kryesorë më të madh të ekipit dhe sivjet kërkon rikthimin e titullit në Prishtinë.
Kampioni aktual, Bashkimi që pas fitimit të titullit e ndërroi kryesinë e klubit pothuajse komplet, ishte ballafaquar me telashe financiare shkaku i borxheve të kryesisë së shkuar, por me kryesinë e re mblodhi forcat dhe tashmë ka një ekip tejet solid, që mund t’i nxjerrë telashe çdo ekipi dhe normalisht edhe me Prishtinën synon kalimin tutje në finale.
Padyshim që në ndeshjet ndërmjet këtyre dy skuadrave, pritet të shohim spektakël gjatë tërë serisë së ndeshjeve.
E ndeshja e sontme që sonte fillon në ora 19:00, ndërmjet këtyre dy skuadrave, por edhe ndeshjet tjera të serisë do të transmetohen direkt në Platformën më atraktive në vend, ArtMotion e cila po vazhdon të bëjë revolucion në basketbollin kosovar.
Komentet janë të mbyllura.