KRYETARI I KOMUNËS SË RAHOVECIT, FLET PAS VENDIMIT TË KB RAHOVECIT PËR TËRHEQJEN E ORGANIZIMIT TË NDESHJEVE TË KOSOVËS
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në një përgjigje për KALLXO.com, ka folur për vendimin e fundit të KB Rahovecit për tërheqjen nga organizmi i dy ndeshjeve ndërkombëtare të Kosovës, ndaj Britanisë së Madhe dhe Luksemburgut.
Latifi ka thënë se rregullorja ka qenë vendim i Kuvend Komunal të Rahovecit dhe ai si kryetar i zbaton vendimet e Kuvendit, dhe rregullorja është miratuar me shumicë votash, por sipas tij, nëse ka ndonjë iniciativë për ndryshim të kësaj rregulloreje, atëherë mund të ndodhë në të ardhmen.
“Rregulloren e ka miratu Kuvendi i komunës para disa ditëve, i ka kalu të gjitha fazat e dëgjimit publik e tjera, ajo rregullore nuk është ligji i Isak Njutonit, nuk domethënë që nuk ndërron dhe në të ardhmen Kuvendi mundet me e plotësu dhe ndryshu, por rregullorja ka për qëllim menaxhimin dhe mirëmbajtjen e palestrës sportive, sepse ai është aset strategjik i komunës tonë”, ka deklaruar Latifi.
Ai ka thënë se nëse federata shpreh interesim për të organizuar ndeshjet ndërkombëtare, atëherë komuna është e gatshme si nikoqir me të gjitha kapacitetet e mundshme, për ta pritë këtë organizim në mënyrën më të mirë të mundshme.
KB Rahoveci gjatë ditës së sotme ka njoftuar se është tërhequr nga organizimi i ndeshjeve ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës, për shkak të rregullores së komunës.
Komentet janë të mbyllura.