Basketboll

RAHOVECI THEU PRITSHMËRITË, PRISHI PLANET E PRISHTINËS

Prishtinë (AsistiOnline) – Ditën e djeshme është luajtur ndeshja e dytë e finales së ‘’Play Off’’-it në Superligën e Basketbollit tonë.

Rahoveci ka arritur senzacion, duke e mposhtur në arenën e zjarrtë ‘’Mizahir Isma’’, skuadrën e fuqishme nga kryeqyteti, Z Mobile Prishtinën.

‘’Vreshtarët’’ ia shkaktuan humbjen e parë sivjet në garat vendore Prishtinës, duke ia prishur kësisoji planet klubit kryeqytetas për ndonjë rekord eventual të cilin e kërkonte me ngulm.

Ndeshja e djeshme ishte e jashtëzakonshme, për faktin se të gjitha periodat e lojës ishin të ngushta në rezultat dhe pak kush e priti dje fitoren e Rahovecit, por ajo ndodhi.

Pjesa e parë kaloi nën-dominimin e ngushtë të mysafirëve nga Prishtina, ndërsa në të dytën Rahoveci e përmbysi rezultatin e ndeshjes dhe arriti fitore historike.

Në triumfin e Rahovecit dje, kontribut kryesorë patën 4 amerikanët e skuadrës, Fred Richardson që realizoi 25 pikë, Deshon Minnis luajti poashtu me 24 pikë, qendra Andrew Washington luajti me dyshifrorë të dyfishtë(11pk, 13krc), ndërsa pikë dyshifore arriti edhe aloja James Stanback, që pati 11 sosh. Sa i përket vendorëve, performanca të mira patën, Arian Qallaku që realizoi 11 pikë, ndërsa kontribut dha edhe Atik Koshi me 5 pikë.

Tek Prishtina, nuk mjaftuan për fitore: 26 pikët e Dardan Berishës, por as 25 sosh të Ahmed Bashirit dhe dyshifrori i dyfishtë i Divine Myles(17pk, 11krc). Lojtarët e tjerë nuk arritën pikë dyshifrore.

Pas kësaj fitore, Rahoveci barazon serinë finale të ndeshjeve ndaj Prishtinës në 1-1 dhe ndeshja e tretë zhvillohet nesër në kryeqytet.

Komentet janë të mbyllura.