Basketboll

BASHKIMI(F) MENDON PJESËMARRJEN NË GARA NDËRKOMBËTARE

Prishtinë (AsistiOnline) – Skuadra e Bashkimit në Superligën e Femrave në Basketbollin Kosovar është njëra ndër skuadrat më të organizuara viteve të fundit në vendin tonë.

Krejt kjo ka ndodhur, falë punës dhe angazhimit të Presidentit të klubit, Rrahman Përteshi i cili prej se e ka marrë përsipër klubin e Bashkimit(F), situata ka pësuar çdoherë rritje për të mirë në kampin prizrenas.

Se ky organizim i mirëfilltë po jep frytet e veta, tregon fakti se skuadra e Bashkimit sivjet mëton pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare të cilat organizohen nga FIBA Europe.

Drejtuesit e skuadrës nga qyteti i lashtë i Prizrenit, në një prononcim të shkurtër dhe ekskluziv i kanë thënë ASISTITOnline, se janë duke shqyrtuar seriozisht pjesëmarrjen në gara jashtë Kosovës sivjet, por që po shikojnë mundësitë ligjore të cilat ekzistojnë dhe po presin momentet për të vendosur.

Por, pjesëmarrja e Bashkimit në këto gara nuk do të jetë e lehtë. Kjo për faktin se nga Kosova për në gara ndërkombëtare mund të dalë vetëm kampioni i shtetit, gjë të cilën Bashkimi sivjet nuk arriti ta realizojë, për faktin se kampione e vendit u shpallë, Prishtina. Por kjo nuk e dekurajon bordin drejtues të Bashkimit që të synojë arenat ndërkombëtare.

Klubi i Bashkimit synon, që nëse Prishtina nuk i ka mundësitë organizative e financiare të garojë jashtë vendit, klubi portokallinjë ta zëvendësojë menjëherë, Ky është plani(A) i Bashkimit. Por nëse nuk funksionon kjo, Bashkimi arenën ndërkombëtare do ta synojë me kërkesë ekskluzive drejtuar FIBA-s, që nëse ka ndonjë vend vakant në këto gara, ti jepet mundësia ekipit të Bashkimit. Kjo realisht po shihet si mundësi tejet reale për Bashkimin.

Për risi të tjera tek Bashkimi, por edhe tek klubet tjera kosovare femërore, ASISTIOnline do t’ju mbajë të informuar në kohë.

Komentet janë të mbyllura.