Basketboll

KOSOVA 3X3 ZBARKON NË TOKËN RUMUNE, GJITHÇKA GATI PËR DEBUTIMIN HISTORIK [FOTO]

Prishtinë (AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovës që sivjet do të luajë për herë të parë në FIBA 3X3 Europe Cup 2019 e përbërë nga Kordinatori Agon Fehmiu dhe lojtarët, Altin Sahiti, Albatrit Berisha, Arti Hajdari dhe Arian Mehmeti sot ka zbarkuar në Konstanca të Rumanisë në të njejtin autobus me Përfaqësuesen e meshkujve të Azerbajxhanit dhe Përfaqësuesen e meshkujve dhe të femrave të Turqisë, shkruan ekskluzivisht Asistionline.com.

Me tu stacionuar në Konstanca, pas drekës dhe pushimit, Përfaqësuesja e Kosovës 3X3 nga ora 18:00 deri në 18:45 zhvilloi stërvitjen e parë dhe që faktikisht do të jetë e fundit para ndeshjeve historike kualifikuese 3×3 Europe Cup 2019.

Përgatitjet e skenës ku do të zhvillohen ndeshjet jane duke vazhduar ende dhe ajo që duhet të theksohet gjithsesi është se gjatë stërvitjes së sotme, kishte frymë të madhe dhe kjo ishte pengesë për të ushtruar shutin nga lojtarët tanë, mirëpo për të dielën parashihet që moti të jetë i mirë dhe me temperatura ideale për lojë.

Në rast se do të ketë frymë edhe të dielën, atëherë Sllovenia mund të jetë e favorizuar pasi mund të luajë nën kosh dhe mund ta shfrytëzojë në maksimum shtatlartësinë e lojtarëve në ekipin e tyre.

Përndryshe edhe pse Kosova 3X3 pati një udhëtim relativisht të gjatë, lojtarët janë në formë të mirë dhe pasi që ndeshjet e Përfaqësueses sonë janë në program për të dielën atëherë ata edhe kanë mundësi për të pushuar gjatë ditës së neserme.

Disponimi dhe optimizmi te Përfaqësuesja jonë është i jashtëzakonshëm, por do të shikohet mundësia që edhe gjatë mbrëmjes të së shtunës të zhvillohet edhe një stërvitje.

Sot në ora 22:00 do të bëhet edhe mbledhja teknike dhe do të bëhet regjistrimi i ekipeve.

Kosova debutimin historik do ta ketë të dielën nga ora 09:25 ndaj Sllovenisë, kurse nga ora 10:15 do ta ketë kundërshtarin tjetër të grupit Andorrën./Asistionline.com

Komentet janë të mbyllura.