DY TRAJNERËT MË TË TROFESHËM KOSOVAR, PA ANGAZHIM!
Prishtinë(AsistiOnline) –Dy trajnerët më të trofeshëm në basketbollin kosovar, Arben Krasniqi dhe Fabian Gjuka, momentalisht janë pa angazhim në skuadra, shkruan AsistiOnline.com
Për shumë kënd, mund të tingëllojë e çuditshme, por ky është një realitet, sepse përkundër punës së madhe dhe sukseseve të shumta, trajnerët e lartë cekur, tash për tash kanë mbetur pa punë.
Arben Krasniqi që së fundmi ishte trajner tek Ylli i Therandës, pjesën më të madhe të karrierës si trajner e kaloi tek KB Prishtina, përderisa udhëhoqi edhe KB RTV 21, ndërsa pati përvojë edhe jashtë Kosovës, konkretisht në Arabinë Saudite, ku drejtoi skuadrën e Al-Hilal dhe normalisht duhet cekur edhe përvojën e tij, si trajner i Përfaqësueses së Kosovës A. Sa i përket sukseseve, Krasniqi është trajneri më i trofeshëm në basketbollin e Kosovës me gjithsejt 15 trofe të fituar dhe duke u shpallur si trajneri më i mirë në Kosovë për 5 vite.
Trajneri i dytë kosovar më i trofeshëm, që ka mbetur pa angazhim, është pejani, Fabian Gjuka i cili njihet sidomos për sukseset në basketbollin kosovar femëror, por edhe për punën e tij të madhe me lojtarë të rinjë.
Gjuka së fundmi, ishte trajner tek KB Penza nga Peja në Superligën Kosovare të femrave vitin e kaluar, përderisa përpos Penzës së Pejës, udhëhoqi edhe ekipe elitare kosovare të meshkujve si: KB 12, KB Besa, KB Universiteti i Prishtinës dhe së fundmi, Teuta e Durrësit. Duhet cekur se Gjuka ka qenë selektori i fundit i Përfaqësueses së Kosovës A, tek femrat. Gjuka në total ka 14 trofe të fituar me ekipet që ka udhëhequr dhe me të vërtetë njihet për punën e tij të jashtëzakonshme me çdo ekip që ka udhëhequr.
Një përmbledhje e shkurtër e asaj që i karakterizon dy trajnerët më të trofeshëm në basketbollin e Kosovës, që sot fatkeqësisht janë të pa angazhuar në ndonjë skuadër, definitivisht kjo është mëkat i madh për basketbollin tonë, duke parë karrierën e suksesshme të këtyre dy trajnerëve. Por shpresojmë që shumë shpejtë ti shohim në ndonjë ekip, sepse puna e tyre nëpër klubet tona, për ti quar përpara talentët e rinjë, na duhet.
Komentet janë të mbyllura.