Basketboll

SUPERLIGA VJEN ME SUPER-NDESHJE NË VIKEND

Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 17-të në Superligën e Kosovës në basketboll, që pritet të jetë shumë interesante.

Ndeshja kryesore e kësaj xhiro do të zhvillohet në kryeqytet ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Bashkimit. Të dy skuadrat kanë grumbulluar nga 25 pikë apo nga 11 fitore dhe tri humbje deri më tani, andaj përballja pritet të jetë shumë interesante.

Bardhekaltrit hynë në këtë përballje pas një serie prej gjashtë fitoreve radhazi, derisa prizrenasit kanë treguar lojëra dhe rezultate të mira këtë edicion, duke qenë në krye të renditjes. Në sfidën e parë në Prizren ndërmjet këtyre dy skuadrave në këtë edicion, kishin fituar prizrenasit me rezultat 95:89.

Rahoveci që po ashtu ka grumbulluar 25 pikë do të përballet me Ponte Prizrenin, në një takim mjaft interesant. Prizrenasit kanë grumbulluar 23 pikë, por gjithashtu kanë edhe një ndeshje më shumë të zhvilluar.

Takim mjaft interesant pritet të jetë edhe ai ndërmjet Pejës dhe GoldenEagle Yllit. Pejanët kanë shtatë fitore dhe shtatë humbje, kurse therandasit kanë dhjetë fitore dhe katër humbje, e fundit ishte nga Sigal Prishtina që ndërpreu serinë e Yllit prej gjashtë fitoreve radhazi.

Dueli i fundit, por shumë i rëndësishëm është në mes Feronikelit dhe Trepçës. Skuadra nga Drenasi ka 18 pikë, derisa ajo mitrovicase 16, duke u renditur në vendin e shtatë, përkatësisht të tetë. Pikërisht kjo e bën duelin shumë të veçantë, sepse dy skuadrat synojnë të mbesin në elitë. Lipjani pushon këtë xhiro.

Në këtë edicion dy ekipet e fundit (vendi 8 dhe 9) bien nga Superliga, kurse vendi i shtatë do të luajë në “Play-out”.

Superliga – Java 17

E shtunë

17:00 Sigal Prishtina – Bashkimi

19:00 Ponte Prizreni – Rahoveci

E diel

17:00 Peja – Golden Eagle Ylli

19:00 Feronikeli – Trepça

Komentet janë të mbyllura.