Basketboll

GOLDEN EAGLE YLLI: DYSHJA BB “BERISHA DHE BROWN” PËRKRAHU ZEKIQIT E BUNJAKUT

Samir Zekiqi dhe Valon Bunjaku sezonin e ri nuk do ta kenë përkrahu Altin Morinën....

Skuadra e katërt në vjesht u rendit Golden Eagle Ylli i udhëhequr nga treshja fantastike vendore Samir Zekiqi, Valon Bunjaku dhe Altin Morina që u transferu gjatë verës dhe menjëherë mbi supe mori përgjegjësinë për t’a udhëhequr skuadrën e vet.

Pas fillimit fantastik prej 4 fitoreve në katër xhirot e para, tre humbjet rresht nga Rahoveci, Ponte Prizreni dhe Peja, ndikuan që zyrtarët e skuadrës ta shkarkojnë trajnerin Arben Krasniqi dhe në vend të tij angazhuan Dragan Radoviqin i cili më herët kishte drejtuar Bashkimin drejt titullit të kampionit, në edicionin 2017/18.

Në 6 ndeshjet e radhës, therandasit shënuan të gjitha fitore duke iu revanshuar Bashkimit e Rahovecit mirëpo në dy ndeshjet e fundit vjeshtore pësuan nga Peja në Karagaq dhe para publikut të vet u mposhtën me rezultat të ngushtë 79:82 nga Sigal Prishtina për ta përmbyll vjeshtën në pozitën e katërt  me 10 fitore e 6 humbje.

Pas përfundimit të stinorit therandasit shkëputi kontratën me katër lojtarë.Nga ekipi u larguan Alante Fenner, Arben Camaj, Altin Morina si dhe Mike Thorn i cili kishte ardhur së fundi në ekip e duket që nuk e kishte bindur trajnerin Radoviq.

Por ata nuk qëndruan duar kryq pasi që rikthyen në vendlindje lojtarin i cili kishte bërë karrierë të gjatë në Turqi e së fundi ishte pjesë e KB Pejës, Arbër Berishën. Berisha pati paraqitje të mrekullueshme në ndeshjet e fundit për Pejën dhe pritet të jetë një ndihmë e madhe për ekipin.

Gjithashtu “xhebrailët” përforcuan rradhët e tyre me plejmejkerin Revonte Brown i cili së fundi luajti në Ligën e parë të Estonisë.

Komentet janë të mbyllura.