Basketboll

CILA ËSHTË 5-SHJA DHE MVPI I XHIROS 23 ?

(AsistiOnline) – Edhe një xhiro fantastike dhe dramatike e lamë pas nesh kurse këtë herë Pesëshja e Javës dhe MVP na vijnë nga Rahoveci dhe Ponte Prizreni, dy skuadrat që fituan derbi duelet e xhiros 23 të zhvilluar gjatë mesjavës  . 

Tyron Nichols i Ponte Prizrenit ishte plejmejkeri më i mirë i xhiros 23 si kreator i lojës dhe fitores së skuadrës së tij në duelin e vështirë ndaj Trepçës . Me 30 pikë të shënuara, Nichols ishte koshashënuesi më i mirë i kësaj ndeshjeje por edhe Superligës në përgjithësi ndërsa ka asistuar 8 herë dhe ka realizuar 6 kërcime duke u vlerësuar me indeksin prej plus 30, më të lartin për një organizues në xhiron 23. 

 

Në pozitën e fundorit këtë javë shkëlqeu Altin Morina i Rahovecit. Ai ishte ndër më meritorët për fitoren kundër Bashkimit dhe për pak nuk realizoi double-double. Altini luajti me 16 pikë e 9 asistime shtoi 5 kërcime dhe vodhi 4 topa ndërsa pati efikasitet prej 60% nga loja për çka u vlerësua me indeksin prej plus 26, më të lartin për një fundor në mesjavë. 

Në pozitën e alo-fundorit i shkëlqyeshëm ishte Joshua McFolley i Rahovecit që së bashku me Altinin realizuan 75% të asistimeve të skuadrës së tyre në kryendeshjen kundër portokallinjve prizrenas. Mcfolley në këtë duel realizoi double double prej 21 pikëve e 10 asistimeve ndërsa pati 4 kërcime e hiq më pak se 5 topa të vjedhur. Për këtë shfaqje, Mcfolley u notua me indeksin plus 28 i cili e bënë alofundorin më të mirë të xhiros 23. 

Darell Davis përmbyll treshen fantastike të Rahovecit e cila shkëlqeu këtë xhiro duke qenë alo më e dalluar. Davis për pak nuk realizoi double double pasi i mungoi 1 kërcim dhe ndeshjen kudnër Bashkimit e përmbylli me 21 pikë e 9 kërcime duke shtuar edhe 5 asistime ndërsa efikasiteti i tij nga loja ishte fenomenal pasi qëlloi të dy treshet dhe nga 9 tentime realizoi 6 dypikësha duke pasur kështu efikasitet prej 72% nga loja. Me këto shifra, Davis meritoi indeksin 26, më të lartin për një alo në mesjavë.

Dhe Pesëshen më të mirë të xhiros 23 po e përmbyllim në pozitën e qendrës të cilën e ka zaptuar Urim Zenelaj i Ponte Prizrenit dhe nuk e ka ndërmend ta lëshoi. Gjiganti prizrenas po e vazhdon dominimin absolut me double double shifrat e tij astronomike dhe sivjet për herë të dhjetë jubilare zë vend në 5-shen e Javës . Në fakt, Urimi këtë e bëri për herë të tetë rresht pasi kësaj radhe realizoi double double monstruoz prej dy 25-sheve: 25 pikë e 25 kërcime të pabesueshme plus asistoi 3 herë dhe bëri dy bllokada për indeksin fenomenal prej plus 45.

 

EDHE NJË JAVË FE-NO-MENALE DHE SHIFRA MAJGIKE NGA GJIGANTI PRIZRENAS, URIM ZENELAJ – MVP I XHIROS 23

Duke i analizuar gjitha këto të arritura e suksese gjatë mesjavës, ASISTIONLINE këtë javë nuk kishte asnjë dilemë se kush është MVP-i i xhiros 23 sepse me double-double-in e tij fantastiko-shkencor prej 25 pikëve e 25 kërcimeve dhe me indeksin e jashtëzakonshëm prej plus 45, gjiganti Urim Zenelaj ishte larg lojtari më dominues i elitës së basketbollit kosovar dhe kështu e fitoi epitetin e MVP-së së Javës në ASIST.

 

 

Komentet janë të mbyllura.