NGA DINO PËR JU NË ASIST
Duke pasur mundësi përmes AsistiOnline dhe ASISTIT në platformën Artmotion e Klan Kosova, tash e tutje do të shoqërohemi gjatë fluturimeve të përbashkëta basketbollistike nëpër parketet kosovare, evropiane dhe ato të NBA. Në veçanti do ta përcjellim së bashku Superligën e Kosovës në basketboll duke ju kthyer analizave dhe shkrimeve si pjesë e emisionit me të cilin jam rritur, ASISTIT!
Së bashku me AsistiOnline, do të mundohemi që për ju basketbolldashës, të sjellim diçka të re. Për çdo ndeshje, do ketë analizë të lojës, duke u munduar të sjellim detaje nga situatat më interesante të ndeshjeve, në sulm e mbrojtje dhe natyrisht çastet vendimtare dhe aksionet që e vendosin lojën, qoftë të lojtarëve apo trajnerëve.
Po fillojmë sot me xhiron 23 të Superligës e zhvilluar këtë mesjavë
PONTE PRIZRENI – TREPÇA
Xhiro e kësaj mesjave filloi në Prizren, me Ponten pa presion e me shumë motiv për fitore ndërsa Trepça nën presionin e mbijetesës kurse motivin në mëdyshje.
Për fitoren e radhës së Pontes merita ka presingu zonal dhe ndërrimi i shpejt nga mbrojtja zonale në “njeri në njeri” (man to man) duke mundësuar pastaj kundërsulmet e shpejta. Shumica e kundërsulmeve të Pontes filluan menjëherë pas kërcimit në mbrojtje të Zenelajt. Pozicionimi i Urimit në fazën e sulmit nën kosh, përveç pikëve pati edhe shumë asistime, falë dyfishimit jo të mirë nga lojtarët e Trepçës. Mitrovicasit gjatë tërë takimit patën problem në mbylljen e koshit (box out) në mbrojtje me ndërsa pikë tjetër e dobët ishte mbrojtja jo e mirë e “pick n’roll-it” të prizrenasve, gjatë ndërrimit të lojtarëve, gjë të cilën vendasit e shfrytëzuan për të krijuar situat të lojës “1 me 1”. Në rritje të epërsisë së Pontes ndikoi transicioni jo i mirë në mbrojtje.
RAHOVECI – BASHKIMI
Në Mizahir Isma, Rahoveci dhe Bashkimi së bashku patën 50 topa të humbur, 22 Rahoveci dhe 28 Bashkimi. Vreshtarët shfrytëzuan topat e humbur të ekipit mysafir duke shënuar 36 pikë, 20 më shumë se Bashkimi, që prej topave të humbur të vendasve, shënuan 16 pikë. Mundemi të themi lirisht se kjo ishte arsyeja e shkëputjes së ekipit të Rahovecit në rezultat, sidomos në çerekun e tretë, për të fituar takimin në fund me 20 pikë dallim.
PEJA – LIPJANI
Në takimin Peja – Lipjani, favoriti dihej mirëpo te ekipi pejan pritej shpërndarja e minutave për lojtarët që nuk u inkuadruan shumë ose fare, në ndeshjet e fundit! Nuk është e lehtë të motivohen lojtarët në ndeshje të tilla, sidomos kur luan me ekipin e fundit në renditje. Peja në asnjërin prej çerekëve, nuk arriti ta ndal Lipjanin të shënoj më pak se 10 pikë, gjë e cila do duhej të ndodhte për shkak të fondit të lojtarëve që posedon.
SIGAL PRISHTINA – FERONIKELI
Ndeshja më dramatike ishte ajo në kryeqytet ku pritej fitore rutinore e Sigal Prishtinës por nuk doli ashtu. Sigal Prishtina me shumë vështirësi dhe në sekondat e fundit fitoi ndaj Feronikelit! Është interesant se përgjatë 40 minutave lojë, prishtinasit vetëm në 4 minutat e para të çerekut të fundit zhvilluan lojë agresive në mbrojtje, ashtu si do të duhej luanin nga fillimi.
17 topa të humbur, vetëm 6 pikë të shënuara nga lojtarët e bankës rezervë dhe vetëm 6 pikë të shënuara nga kërcimet në sulm, ishin ndër arsyet kryesore të lojës së dobët të prishtinasve mirëpo edhe mënyra e mbrojtjes së “pick n’rollit” nuk ishte ajo që jemi mësuar, sidomos në mbrojtjen anash apo “side defense”, ku kishte rënie të koncentrimit. Feronikeli e shfrytëzoi mjaftë mirë tranzicionin e dobët në mbrojtje të prishtinasve, pati hapësirë të mjaftueshme (spacing) për të sulmuar 1 me 1 dhe durim për të zhvilluar sulmin deri në sekondat e fundit të aksionit. Në mbrojtje kishte vonesa të pozicionimit në mbrojtje të “pick n’roll” dhe mungesë të agresivitetit nën kosh.
Sidioqoftë, ndeshja e cila pritej të jetë ndër më rutinoret doli të jetë ndër më draktike dhe sërish ishte Feronikeli ajo ekip e cila pas Pejës me të cilën shkoi në vazhdime, shkaktoi frikë dhe e dridhi edhe Prishtinën
Kjo po dëshmon se , në pranverë ndeshje të lehta nuk ka dhe se na pret një pranverë e bukur dhe dramatike ku asnjëra skuadër nuk guxon të nënçmohet
* Autori
Andin “Dino” Rashica i lindur më 19 shtator 1990, në Gjilan, është trajner i basketbollit, gazetar dhe analist. Dino ishte lojtar i grupmoshave të reja të Sigal Prishtinës dhe në kohën kur duhej të kalonte në nivelin e seniorëve vendosi që karrierën në basketboll ta vazhdoi si trajner, ku pati shumë sukses. Filloi si ndihmës trajner dhe trajner i të rinjve në vitin 2009, ishte asistent i Arben Krasniqit dhe Fikret Shatrit te Sigal Prishtina, para se të kalonte në vitin 2013 në klubin e RTV21, bashkë me Krasniqin. Pas largimit të Krasniqit me 2 shkurt 2014, në moshën 23 vjeçare, u emërua trajneri kryesor, duke qenë trajneri më i ri në histori të basketbollit të Kosovës që ka udhëhequr një klub profesionist në Superligë.
Për një kohë të shkurtër dhe të suksesshme tek KB RTV 21 Dinmo impresionoi por pas tërheqjes së këtij klubi nga garat e basketbollit kosovar, me 2 shtator 2014 Rashica fillon punën si analist i basketbollit dhe gazetar i sportit në RTV21, nën përkujdesjen e të ndjerit Agim Binaku.
Pas një viti pune si gazetar e analist, me 20 gusht 2015 ai i kthehet zejes së trajnerit të basketbollit, si ndihmës trajner në Sigal Prishtina ndërsa më 11 janar 2018 emërohet edhe kryetrajner i skuadrës.
Po ashtu, Dino ishte ndihmës trajner i dy selektorëve të Përfaqësueses së Kosovës, Brad Greenberg dhe Damir Mullaomeroviqit si scouti më i mirë aktualisht në Kosovë i cili bashkëpunon edhe me shumë trajner të njohur evropian duke i përgatitur ndeshjet e tyre.
Nga Janari 2020, Andin Dino Rashica është kontribuues në Asist dhe AsistiOnline si analist dhe ekspert i basketbollit.
Komentet janë të mbyllura.