Basketboll

PEJA E NISË ME HUMBJE TË THELLË FAZËN E DYTË TË LIGËS BALLKANIKE

Prishtinë(AsistiOnline) – Skuadra kosovare, KB Peja e ka nisur me disfatë befasuese fazën e dytë në Ligën Ballkanike.

Pejanët janë mposhtur në “Qazim Dervishi” në Shkodër, nga skuadra e Vllaznisë me rezultatin final, 78-62.

Peja e nisi më mirë sfidën, duke e mbyllur çerekun e parë në avantazh të ngushtë 17-19, por kjo ishte e gjitha nga klubi pejan, për faktin se Vllaznia nga çereku i dytë e morri kontrollin e ndeshjes dhe deri në fund nuk e lëshoi atë(24-21, 21-11, 16-11), duke arritur fitore të merituar në fund.

Individët më të dalluar në fitoren e skuadrës shqiptare sonte ishin, Devonte Thomas me 17 pikë, Colin Voss me 16 pikë e Justin Ross e Nikola Vujovic me nga 15 pikë.

Tek Peja s’mjaftuan për fitore, Nigel Johnson me 19 pikë, Brett Prahl me 17 pikë e Ricky Jackson me 11 sosh.

Në këtë sfidë për Pejën, sonte nuk luajtën dy lojtarët kryesorë, Drilon Hajrizi e Dardan Berisha.

Në xhiron e ardhshme, Vllaznia udhëton në Rozhajë për tu përballur me Ibrin. Ndërsa, Peja e pret Rahovecin në derbin e skuadrave kosovare në këtë garë.

 

Komentet janë të mbyllura.