EDHE RAHOVECI NË IZOLIM – LIRON ZYRTARISHT LOJTARËT E HUAJ
Prishtinë(AsistiOnline) – Tashmë zyrtarisht edhe skuadra e Rahovecit i ka liruar nga ekipi lojtarët e huaj që kishte në roster për këtë stinor.
”Vreshtarët” nëpërmjet një njoftimi zyrtar kanë lajmëruar, se kanë liruar nga kontratat basketbollistët e huaj që ishin pjesë e deritanishme e klubit. E gjithë kjo vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e aktiviteteve sportive në vend, për parandalimin apo mbrojtjen nga Pandemia – KoronaVirus, që ka përfshirë tërë botën e edhe Kosovën.
”Momente të tilla si këto, ku sporti nuk është as dytësor e as tretësor, ndiejmë nevojën tonë për të qëndruar brenda në shtëpi dhe kështu mos ta përhapim edhe më shumë pandeminë që po shkakton viktima e numër të madh të të prekurve. Kësisoj, duke analizuar situatën dhe duke parashikuar se ky sezon basketbollistik tashmë është pezulluar dhe nuk dihet se kur do të fillojë nëse do të fillojë, i kemi liruar të gjithë basketbollistët e huaj”, thuhet në njoftim.
Të kujtojmë se një gjë të tillë, sikurse Rahoveci e ka bërë edhe skuadra e Bashkimit, por të njëjtën gjë pritet ta bëjnë edhe skuadrat tjera elitare kosovare. Dhe AsistiOnline.com do t’ju mbajë të infromuar vazhdimisht për rrjedhat e basketbollit në kohë reale si gjithmonë.
Komentet janë të mbyllura.