KRYETARI I FBK ARBEN FETAHU : VENDIM I DHIMBSHËM POR I DOMOSDOSHËM
Deklarata e Kryetarit të FBK-së, Arben Fetahu pas vendimit të FBK-së për anulimin e garave të Superligës së Kosovës dhe Superligës së Femrave, edicioni 2019/20 si pasojë e pandemisë COVID-19.
Të nderuar/a,
Sot u detyrova që t’ia paraqes Bordit të FBK-së vendimin më të dhimbshëm të këtij mandati – atë të anulimit të garave të Superligave të Kosovës. Në kohë si kjo, kur vendi jonë po përballet me një armik të padukshëm dhe të pabesë, komuniteti i basketbollit dhe më gjerë duhet të tregojë përgjegjësi, unitet dhe solidaritet. Prandaj, pas konsultimeve me të gjitha palët e interesit, dhe pas konstatimit se shëndeti i tifozëve, stafit dhe lojtarëve duhet të jetë prioritet i yni dhe në këtë frymë, Bordi i FBK-së ka vendosur sot njëzëri që të anulojë garat e edicionit 2019/20 në Superligën e Kosovës dhe Superligën e Femrave në basketboll.
Për sportin tonë ky vendim është posaçërisht i dhimbshëm, duke qenë se u detyruam ta marrim atë në kulm të një edicioni garues me konkurrencë të fortë, me lojë të paparakishueshme në kuptim të rezultatit dhe në të cilin shikuesit e patën fjalën kryesore, gjë që dëshmohet me mbi 15.000 bileta të shitura gjatë javës së Final 8 të Kupës së Kosovës në Rahovec, me sallat e rimbushura plot anekënd Kosovës dhe me përcjelljen e interesin e shtuar mediatik ndaj sportit tonë të zemrës. Ky rezultat i arritur falë angazhimit të federatës dhe burimeve njerëzore të saj dhe rolit të paçmueshëm të partnerit mediatik të federatës – ArtMotion, i cili me përkushtim të pashoq ka përcjellë veprimtarinë tonë dhe ka përçuar emocionet e terreneve të basketbollit në shtëpitë tuaja, duke kontribuar kësisoj në kthimin e shikueshmërisë në basketbollin e Kosovës.
Jemi të vetëdijshëm se skuadrat e superligave të Kosovës sivjet kanë bërë investime të konsiderueshme dhe kanë shfaqur nivel më të lartë organizativ dhe sportiv, sigurisht me pritjen që këto investime t’ju kthehen me kurorëzim të aspiratave të tyre sportive, por në rrethana kur kthimi në normalitet nuk është i parashikueshëm janë pikërisht këto klube që do të përfitojnë më së shumti nga vendimi i sotëm.
Në nivel të federatës veprimtaria po vazhdon dhe në bashkërendim me autoritetet e Kosovës, FIBA dhe akterë tjerë po punojnë në përgatitjen më të mirë të mundshme për aktivitetet reprezentative dhe parapërgatitjen për kthimin në normalitet dhe tejkalim të kësaj gjendjeje. Megjithatë, shëndeti dhe mirëqenia janë gjithnjë në plan të parë dhe federata jonë do të udhëhiqet nga ky parim deri në fund të tejkalimit të kësaj situate.
Duke ju dëshiruar shëndet dhe mirëqenie në shtëpitë dhe familjet tuaja, mbetem,
Sinqerisht i juaji,
Arben Fetahu
Komentet janë të mbyllura.