EKSKLUZIVE – AVNI PONARI: FIBA EUROPE PËRKRAH LIGËN MBARËKOMBËTARE
Prishtinë(AsistiOnline) – “Ideja për themelimin e Ligës Mbarëkombëtare të Basketbollit me skuadra pjesëmarrëse nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia Veriore tashmë ka marr edhe dritën e gjelbër nga vet Turgay Demireli, kryetari i FIBA Evropës” ka thënë ekskluzivisht për AsistiOnline, Avni Ponari, kryetari i Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB).
Ponari shpjegoi se, javën e kaluar, gjatë video-konferencës të udhëhequr nga njeriu i parë i basketbollit evropian Turgay Demireli, në të cilën morën pjesë një grup i kryetarëve të federatave evropiane, ndër ta edhe kryetarët e federatave të basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, është ri-hapur tema e krijimit të ligës rajonale me skuadra nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e cila do të quhej “Liga Mbarëkombëtare e Basketbollit”.
Ditë më parë këtë e kanë konfirmuar edhe Arben Fetahu, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Elvira Dushku, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së e cila kishte deklaruar për AsistiOnline se, “kjo ide është duke u diskutuar shumë seriozisht dhe po ecet me hapa të sigurtë drejt konkretizimit”.
Kryetari i FBSH-së, Avni Ponari, duke folur për herë të parë për mediet kosovare lidhur me këtë temë zbuloi se si lindi kjo ide dhe sipas tij, cilët janë hapat që duhet ndërmarr për ta realizuar këtë ide. “Vendet relativisht të vogla duke parë interes në rritje tek te rinjët dhe natyrisht nevojën për gara më të mëdha në basketboll dhe duke parë se distancat midis qyteteve po shkurtohen çdo vit për shkak të infrastrukturës, shpesh herë kemi diskutuar me njerëzit e basketbollit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni Veriore se çfarë mund të bëjmë për ta krijuar një familje të madhe të basketbollit nga këto tre vende që së bashku të jemi si avangardë të një bashkimi basketbollistik. Duke parë po ashtu se politika nuk do asnjë lloj bashkimi, janë bizneset, sporti dhe kultura ato të cilat duan sa më shumë njerëz dhe sa më shumë hapësira për të zhvilluar aktivitetet e tyre”.
”Ka ‘20 vjet’ që vetëm flitet dhe nuk ka pasur asnjëherë hapa konkret. Në këtë moment, ne menduam të ndërtojmë një Ligë Rajonale me pjesëmarrjen e tre shteteve me 6 ekipe duke ndërtuar një garë më ndryshe, në mënyrë që ky sport të zhvillohet akoma dhe biznesi të afrohet edhe më shume tek sporti. Si njeri i biznesit unë jam i bindur se sporti dhe biznesi kanë shumë mundësi të zhvillohen së bashku dhe ti shërbejnë njëritjetrit” deklaroi Ponari. Në fakt, disponim dhe biseda shumë serioze për krijimin e ligës së përbashkët ka pasur edhe në vitin 2012, në kohën kur Kosova ende nuk ishte pranuar si anëtare e FIBA-së dhe ky fakt ka qenë një pengesë e madhe në jetësimin e kësaj ideje. Ndërkohë, ky problem është tejkaluar pas pranimit të Kosovës në familjen evropiane dhe botërore të basketbollit”.
Ponari theksoi se me homologun e tij Kosovar, Arben Fetahun, tashmë kishin përgatitur testin e parë për krijimin e Ligës Mbarëkombëtare. Dy federatat simotra kishin planifikuar aktivitet të përbashkët paraprak mirëpo shfaqja e pandemisë COVID-19 e pamundësoi realizimin.
“Unë them që në parim kemi rënë dakord dhe ishte pandemia Covid 19 ajo që ndërpreu aktivitetin e parë që ishte planifikuar për këtë pranverë e që ishte një Kupë Rajonale dhe që faktikisht do të hapte rrugët për fillimin e zbatimin të këtij projekti. Unë mendoj që sa më shpejt të fillojë ky aktivitet do të jetë hap i madh për të ecur përpara si për Shoqatat e Basketbollit, Federatat dhe gjithë Komunitetin e Basketbollit” theksoi Ponari.
Lidhur me formatin e garave, numrin e ekipeve, kushteve për pjesëmarrje dhe aspekteve financiare, kryetari i FSHB-së deklaroi se këto janë ende në fazën e diskutimeve ndërmjet të palëve por njëkohësisht e shprehi vizionin e tij.
“Siç e thash më herët, kjo Ligë do të përbëhet nga gjashtë skuadra (v.j. nga secili shtet) të cilat do t’i zhvillojnë ndeshjet sipas sistemit vajtje – ardhje por do të ketë edhe një organizim të veçantë që do të drejtojë këtë aktivitet kurse financimet do të jenë nga federatat përkatëse. Për kuotat që parashihen të paguajnë ekipet pjesëmarrëse administrata do të merret me marketingun, pagesat për gjyqtarët dhe veprimtaritë tjera të kësaj Lige ndërsa edhe emri i saj do të diskutohet pasi jemi në kërkim të sponsorave që mbështesin këtë organizim” tha ekskluzivisht për AsistiOnline.com, Kryetari i Federatës së Basketbollit të Shqipërisë, Avni Ponari.
Pa dyshim se jetësimi i idesë do të ishte plus i madh për basketbollin dhe klubet kosovare, shqiptare dhe maqedono veriore, qoftë në aspektin garues dhe ngritjes së kualitetit të lojës në këto shtetet apo edhe nga aspekti financiar mirëpo, duhet qenë të kujdesshëm në projektimin e edicionit të parë sidomos në planifikimin e shpenzimeve organizative (udhëtimi, akomodimi, referimi etj).
Krejt në fund, s’do mend se kjo ide është fantastike dhe jetësimi i saj do t’i sillte shumë të mira basketbollit në rajon por duhet pasur parasysh shpenzimet dhe situatën aktuale ekonomike nëse synohet jetëgjatësia dhe një vazhdimësi e sigurt. Shih për këtë, në edicionin debutues të “Ligës Mbarëkombëtare të Basketbollit”, do të ishte mirë që numri i skuadrave pjesëmarrëse të jetë modest.
Nuk është lehtë të jetësohet një iniciativë si kjo e krijimit të “Ligës Mbarëkombëtare të Basketbollit” qoftë për nga aspekti financiar, infrastukturor, logjistik dhe organizativ mirëpo nëse dëshmohet se edicioni promovues të jetë test pozitiv atëherë ky do të jetë një lajm shumë i mirë për zhvillimin e basketbollit në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni Veriore.
Nëse kjo garë themelohet mbi baza të shëndosha dhe të forta, me vizion të qartë për zhvillim në të ardhmen atëherë edhe numri i skuadrave do të mund të zgjerohej dhe ngadal por sigurtë, “Liga Mbarëkombëtare e Basketbollit” të shndërrohet në garë prestigjioze rajonale.
Komentet janë të mbyllura.