GERTI SHIMA FLET PËR LIGËN MBARË-KOMBËTARE ME KOSOVËN
Prishtinë(AsistiOnline) – Komente për ligën mbarë-kombëtare shqiptare, AsistiOnline.com ka marrë edhe nga akterët e basketbollit në Shqipëri.
Basketbollisti nga Tirana që dikur luante me shumë sukses në Kosovë, Gerti Shima foli ekskluzivisht për AsistinOnline gjerë e gjatë, për këtë ide që po planifikohet të jetësohet në të ardhmen.
”Në fakt do të ishte diçka që për të dyja palët do të ishte shumë e mirë edhe për mbarë shqiptarët, do të thotë se do të ishte një ëndërr, krijimi i një lige të përbashkët dhe pse jo të kishim diçka siç është Adriatik Liga. Do të kishim një ligë mbarë-kombëtare shqiptare duke futur jo vetëm ekipet e Shqipërisë dhe të Kosovës, por edhe ekipet shqiptare të Malit të Zi dhe të Maqedonise dhe kjo është e ”realizueshme”.
Shima tregoi se ka pasur biseda edhe me kryetarin e FBK-së, Arben Fetahu në lidhje me këtë çështje.
”Për sa i përket pastaj pjesës tjetër, jemi sinqerisht larg, sepse nuk kemi as një gjë konkrete, përpos fjalëve, të paktën nga biseda që kam pasur edhe me Presidentin e FBK-së, Arben Fetahu, ai është shprehur i gatshëm për këtë gjë edhe në bisedat që ka pasur me FSHB-në, kanë hedhur ato idetë e qarta, pavarësisht që unë i thash që këto idetë që të dyja Federatat po i hedhin, kanë qenë dikur që fillimisht i kanë nisur me ndeshje miqësore dhe jane realizuar ato, mirëpo diçka konkrete zyrtare ka ngelur vetëm në format e fjalëve”.
Dhe në fund, Shima tha se idetë duhet të jenë konkrete e jo vetë fjalë. Por kjo të realizohet edhe në teren.
”Thjesht duhet të kishim qenë më objektiv, ndonje fjalë në letër, të kishim ndonjë plan të gatshëm dhe kjo e dimë që nuk arrihet pa ”aminin” e FIBA-së. E lehtë nuk është fare, problemi është tek ana financiare, të dyja kampionatet kanë këtë problem. Pra para nisjes eventuale të këtij kampionati të dyja Federatat duhet të kenë takime edhe me ekipet e tyre në mënyrë që mos të ketë pastaj ato problemet financiare. Shpresoj shumë që me një vullnet të mirë nga të dyja palët, të mos ngelin këto diskutime vetëm pjesë e fushatës së basketbollit”, përfundoi bisedën, Shima që dikur luante në Kosovë.
Komentet janë të mbyllura.