ELPA KËRKON QË EUROLIGA TË MOS VAZHDOJË
Prishtinë(AsistiOnline.com) – ELPA, apo ndryshe shoqata e basketbollistëve në Euroligë, po ju dërgon letra ekipeve të Euroligës duke përmendur arsye të shumta për të mos rifilluar sezonin 2019-20.
Pas takimit të së shtunës midis lojtarëve të Euroligës, ELPA lëshoi letrën zyrtare duke kërkuar anulimin e sezonit. Një total prej 36 lojtarësh, kapiteni dhe nga një lojtar i vjetër i secilës skuadër, morën pjesë në telekonferencë me shumicën dërrmuese duke mos dashur që sezoni të rifillojë.
Në letrën e publikuar nga Shoqata e Lojtarëve të Euroligës tutje thuhet se janë çështjet e udhëtimit, siguria shëndetësore dhe kushtet jo adekuate pas pandemisë ndër brengat e mëdha të rifillimit të stinorit. Sipas ELPA, rreth 70 lojtarë të Euroligës janë akoma në SHBA. Ata basketbollistë do të përballeshin me vështirësi për t’u kthyer në Evropë, do të rrezikonin edhe veten dhe familjet e tyre.
Përveç kësaj, ELPA paralajmëron se aktualisht nuk është e mundur të garantohet plotësisht siguria për lojtarët, trajnerët, zyrtarët dhe të gjithë të tjerët që të përfshihen në ndeshjet e mbetura, pasi pandemia e koronavirusit nuk ka mbaruar ende në Evropë.
ELPA vlerëson se shumë lojtarë nuk do të jenë të gatshëm të kthehen në këto kushte dhe shton se lojtarët që mungojnë do të dëmtonin konkurrencën.
Sezoni 2019-2020 në Euroligë është pezulluar që nga 12 Marsi. /AsistiOnline.com
Komentet janë të mbyllura.