Basketboll

FIBA I BASHKOHET KONVENTËS TË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR NDRYSHIMET KLIMATIKE

FIBA i është bashkuar konventës të Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka për qëllim të ndihmojë organizatat sportive të zvogëlojnë emetimet e shkaktuara nga veprimet e tyre, ndërsa FIBA po vërteton përkushtimin e saj që sektori sportiv të jetë në rrugën drejt një të ardhme me nivel të ulët të karbonit.

Presidenti i FIBA-s, Hamane Niang tha: “Kjo iniciativë është një hap i rëndësishëm për FIBA-n, ku ne shprehim synimin tonë për të zbatuar parimet në sistem dhe angazhohemi të punojmë me kolegët dhe grupet e interesit për të zbatuar agjendën e ndryshimeve klimatike përmes sportit. Ne, si Federatë Ndërkombëtare kemi përgjegjësi të frymëzojmë një ndryshim më të gjerë shoqëror që e mban planetin të sigurt për gjeneratat e ardhshme”.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i FIBA-s, Andreas Zagklis ka deklaruar: “Jam shumë i lumtur që FIBA mbështet vizionin e OKB dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Angazhimi i FIBA-s për qëndrueshmërinë ekologjike daton që nga viti 2011 kur filluam ndërtimin e selisë sonë, duke përdorur sistemet e ngrohjes dhe ftohjes me energji të ulët, si dhe energjinë diellore”.

Selia e FIBA-s e vendosur në Mies, Zvicër, e njohur ndryshe si Shtëpia e Basketbollit, është e certifikuar me etiketën Minergie Eco, e cila është standardi më i lartë i energjisë në Zvicër për shtëpi me energji të ulët dhe ndërtim të qëndrueshëm.

130 organizata sportive janë anëtarësuar deri më tani dhe janë duke bërë thirrje komunitetit sportiv që të krijojnë së bashku një sistem për ndryshimet klimatike përmes sportit duke iu përmbajtur parimeve: promovimi i përgjegjësisë mjedisore, zvogëlimi i ndikimit të përgjithshëm klimatik, edukimi për ndryshimet klimatike dhe avokimi për ndryshimet klimatike përmes komunikimit.

Komentet janë të mbyllura.