REAGIMET NGA KOSOVA 3×3, PAS RIKTHIMIT NGA SUKSESI HISTORIK
Prishtinë(AsistiOnline) – Përfaqësuesja e Kosovës në 3×3 me 29 dhe 30 qershor, bëri debutimin historik në kualifikimet për ”FIBA 3X3 Europe Cup 2019” në Konstanca të Rumanisë, duke arritur që në renditjen finale, në fund të kualifikimeve, t’ua kaloj shteteve që janë
fuqi në këtë sport si: Rumanisë, Turqisë, Andorrës por edhe Azerbajxhanit dhe Irlandës.
Këto dy ndeshje që zhvilloi Kosova 3×3, ishin historike për shtetin tonë, kjo pasiqë për herë të parë si shtet morëm ftesë për të garuar si reprezentacion dhe varësisht nga finalet dhe rezultatet, Kosova u rendit si e 6-ta në këto kualifikime që mund të cilësohet si sukses shumë i madh për ekipin nga Kosova, duke pasur parasysh faktin, se ishim debutantë dhe kishim përballë konkurentë shumë seriozë, sidomos Slloveninë.
Për AsistiOnline.com, pas përfundimit të këtyre ndeshjeve historike për Kosovën, kishte folur në detaje nga Rumania, kordinatori i ekipit kosovar Agon Fehmiu.
“Të dielën në Konstanca të Rumanisë në paraqitjen dhe debutimin e parë dhe historik të Reprezentacionit të Kosovës 3×3, Kosova ka shënuar fitoren e parë dhe historike ndaj Andorrës me shifrat 21:6, që është një sukses jashtëzakonisht i madh pasiqë Andorra shquhet me ekip të mirë. Sidoqoftë të njëjtën ditë, me fillim nga ora 9:25 Reprezentacioni i Kosovës debuton për herë të parë në histori të basketbollit tonë 3×3 në arenën ndërkombëtare kundër Sllovenisë, njërës prej top ekipeve botërore me lojtarë tejet kualitativ të cilët pothuajse ka një dekadë që luajnë bashkë dhe normalisht kundër ekipit tonë e shfrytëzuan përvojën e tyre të madhe dhe e fituan takimin e parë, 21-8. Por në ndeshjen e dytë, katërshja historike e Kosovës 3×3 e tregoi forcën e vërtetë, duke e lënë zemrën dhe shpirtin në fushë dhe duke e mposhtur Andorrën për të arritur fitore historike 21-6. Kosova me fitoren ndaj Andorrës e tregoi potencialin e madh që ka Reprezentacioni i Kosovës. Edhe pse neve ekipet e tjera na shikuan me një sy nënçmues ne arritëm të kundërpërgjigjemi në fushë me fitoren ndaj Andorrës”.
Tutje, Fehmiu kishte treguar edhe për përkrahjen që Kosova si ekip e pati nga disa njerëz, por edhe shtete mike të Kosovës në këtë debutim historik.
“Menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve, tek ne për të na uruar për fitoren dhe lojërat e mira u ofruan shumë shtete, kryesisht mike të Kosovës por edhe jashtë saj. Madje për paraqitjet e suksesshme të Kosovës, vetë drejtori
i FIBA 3×3 Robert Riblinger erdhi dhe na uroi duke e theksuar rëndësinë e kësaj fitoreje e cila do të hyjë në anale të kësaj loje, ndërsa përkrahje të madhe si debutantë patëm nga Reprezentacioni turk por edhe nga njerëzit e basketbollit rumunë, por përkrahje dhe falenderime për Kosovën patën edhe organizatorët nga Rumania”.
Krejt në fund të kësaj bisede, Fehmiu falenderoi të gjithë përkrahësit e ekipit kosovar që vitin e kaluar luajti për herë të parë në kualifikimet për FIBA 3×3 Europe Cup.
“Dua të falenderoj të gjithë përkrahësit tanë sivjet, duke filluar nga Ministria e Sportit në krye me z.Kujtim Gashin i cili pa rezervë e ka përkrahur udhëtimin tonë në Rumani, Federatën e Basketbollit Kosovar, poashtu edhe Fakultetin e Kulturës dhe Edukimit Fizik, në krye me Dekanin, Musa Selimin që na e lëshoi në funksion sallën sportive për stërvitje dhe normalisht falenderim i veçantë shkon edhe për ekipin historik në krye me kapitenin Altin Sahiti, Arian Mehmeti, Albatrit Berisha si dhe Arti Hajdari të cilët treguan kulturë dhe përkushtim të lartë gjatë këture ditëve”, shtoi krejt në fund Fehmiu i cili ka bërë dhe vazhdon të bëjë punë të palodhshme dhe të jashtëzakonshme me ekipi e Kosovës 3×3 para, gjatë dhe edhe pas këtyre ndeshjeve historike për shtetin tonë. /AsistiOnline.com
Komentet janë të mbyllura.