Basketboll

SHQIPTARI NGA SHKUPI, SELEKTOR I GJENERATAVE TË REJA MAQEDONASE NDËR VITE

Prishtinë(AsistiOnline) – Sukseset e shqiptarëve me basketboll, janë të pranishme edhe në shtetin e Maqedonisë, atje ku jetojnë një numër i madh i tyre të cilët ndër vite merren me basketbollin por edhe me sporte të tjera me sukses, shkruan AsistiOnline.com

Storie e suksesit ndër vite, padyshim që është trajneri shqiptar nga Shkupi, Enver Miftari i cili është një ish-basketbollist i gjeneratave të mëhershme dhe dashuria e madhe për basketbollin, bëri që pas pensionimit si lojtar aktiv, Miftari ti përkushtohet plotësisht punës së trajnerit dhe aktualisht përveç drejtimit të KB Shkupit(seniorët), ai është edhe selektor i Përfaqësueses U-18 femrat e Maqedonisë Veriore.

Në një bisedë ekskluzive për AsistiOnline.com, Miftari flet për punën që bën për shumë vite në basketboll dhe që me sukseset e arritura ka fituar besimin e drejtuesve të Federatës maqedonase, që ndër vite ti udhëheq reprezentacionet e reja atje dhe të arrijë shumë suksese të tjera në basketbollin e atjeshëm.

Është e vështirë të depërtosh në Maqedoni, sidmos për faktin se postin e seleksionuesit e kam fituar me punë, me djersë, me rezultate të arritura, 4 herë kampion i Maqedonisë me U-18 dhe U-20 dhe së paku 12 tituj nën-kampionësh, si në konkurencën e femrave ashtu edhe në të meshkujve, në afat kohor prej 7 vitesh. Profesionalizmi në punën time për më tepër se 40 vite e bën që ky profesion apo tash post i seleksionuesit, të jetë kënaqësi dhe përcjellje e eksperiencës 40 vjeçare në grupmoshat e reja dhe ato seniore. Kam udhëhequr, KB Slogen në vitet e fundit të ekzistencës(2003) KB Kastriotin e Ferizajit, KB Lirinë dhe KB Shkupin, si dhe pjesëmarrës në 4 kampionate evropiane për vajza në stol të Maqedonisë Veriore, ku me ku me këto të fundit, aktualisht edhe po vazhdoj të jem”.

Në pjesën e dytë të bisedës, Miftari flet për klubin të cilin aktualisht e drejton dhe me të cilët bën pjesë në ligën e parë maqedonase, ku flet për vëshirësitë e shumta me të cilat përballen shkupjanët në Maqedoninë Veriore e që janë kryesisht anës financiare.

KB Shkupi është brend i basketbollit në Maqedoni, kjo tregon se vendin e kemi në elitën maqedonase dhe në ligat e basketbollit të Ballkanit dhe Evropës. Na mungon një mbështje dhe përkrahje që për momentin na nuk e kemi nga institucionet përkatëse të shtetit si dhe posaçërisht ende nuk kemi kompanitë, firmat tona shqiptare që nuk janë të involvuara si sponzore në sport. Një fakt është se kemi lojtarë, kemi talentë, si meshkuj ashtu edhe femra, vetëm se duhet ti përkrahur vajzat dhe djelmoshat që ata të arrijnë majet e basketbollit Evropian si dhe pse jo, NBA e WNBA”, përmbyll bisedën me AsistiOnline, Miftari.

Të kujtojmë se ditë më parë, KB Shkupi skuadër të cilën e drejton pikërisht trajneri Enver Miftari, shprehu haptazi interesimin për t’ju bashkangjitur, ligës së përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë që pritet të startojë sivjet, por Federatat e shteteve shqiptare në vitin e parë e kanë kufizuar numrin e ekipeve që pritet të jenë vetëm nga dy shtetet që po e formojnë ligën në fjalë. /AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.