EFESI RINOVON ME NJË PREJ LOJTARËVE KYÇ TË SKUADRËS
Prishtinë(AsistiOnline) – Njëra ndër skuadrat më stabile të viteve të fundit në Euroligë, Anadolu Efes ka vazhduar kontratën me njërin nga lojtarët kyç në sukseset e klubit viteve të fundit.
Bëhet fjalë për fundorin francez, Rodrigue Beaubois i cili do të vazhdojë të jetë pjesë e Anadolu Efesit edhe për dy stinorët e ardhshëm. Kështu ka bërë me dije sot, ueb-sajti zyrtar i klubit turk nga Stambolli.
Beaubois tani 32 vjeç, u transferua në Turqi dy vite më parë dhe që kur erdhi tek Efesi, Beaubois u bë një nga lojtarët kryesorë për trajnerin e Ergin Atamanit.
Deri para vendimit për të anuluar stinorin në Euroligë, Beaubois pati mesatare prej, 9.5 pikë, 1.7 asistime, 1.6 kërcime dhe 0.9 vjedhje në Euroligë, gjithashtu kishte 13.7 pikë, 2.6 kërcime dhe 2.4 asistime për ndeshje në Superligën turke.
Beaubois para ardhjes në Efes ishte pjesë edhe e skuadrave tjera evropiane, Baskonia dhe Strasburg dhe francezi deri tash ka 134 paraqitje në garën kryesore të Evropës.
Të kujtojmë se Beaubois ka përvojë edhe në NBA me Dallas Mavericks, duke luajtur aty për 4 vite rresht, madje në vitin 2011 ishte pjesë e Dallasit kur këta të fundit u shpallën kampionë të NBA-së. /AsistiOnline.com
Komentet janë të mbyllura.