Basketboll

BEVERLEY RIKTHEHET NË KAMPUSIN E NBA-SË NË ORLANDO

Prishtinë(AsistiOnline) – Basketbollisti amerikan, Patrick Beverley është ribashkuar me skuadrën e tij, LA Clippers në kampusin e NBA.

Nga raportet e NBA në Twitter dhe raportet e mediave amerikane, është lënë të kuptohet se ylli i Clippers ka arritur në kampusin e NBA në Orlando, atje ku pritet të rifillojë stinori i mbetur i NBA-së, në kushte të rrepta shëndetësore, si pasojë e pandemisë COVID-19.

Fundori i Clippers, nuk ka marrë pjesë në stërvitje që nga e marta e kaluar, pasi u largua nga kampusi NBA për një emergjencë familjare, por Patrick Beverley u bashkua me LA Clippers të Dielën, raportoi Adrian Wojnarowski i ESPN.

Mbetet të shihet nëse Beverley do të detyrohet nga autoritetet e NBA, të hyjë në karantinë para ndeshjes së parë të Clippers të enjten në mbrëmje kundër Los Angeles Lakers.

Nga detyrimet e NBA që janë nxjerrur enkas për rifillimin e stinorit në Orlando, thuhet se nëse një lojtar largohet nga kampusi për rrethana lehtësuese, atij do t’i kërkohet të karantinohet 4-10 ditë pas kthimit të tij. Periudha do të jetë katër ditore nëse lojtari që u largua nga kampusi prodhon teste negative për të paktën shtatë ditë para kthimit të tij.

Beverley deri para pezullimit të stinorit në NBA, ka pasur mesatarisht 7.9 pikë, 5.4 kërcime, 3.7 asistime për 48 ndeshje këtë sezon. /AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.