SPAQI I SHQETËSUAR: GJASAT PËR NJË STINOR NORMAL, JANË TË VOGLA!
Prishtinë(AsistiOnline) – Janë bërë afro pesë muaj që nga pezullimi dhe më pastaj edhe anulimi i aktiviteteve në basketbollin e Kosovës, shkaku i pandemisë COVID-19 dhe që nga atëherë skuadrat tona vendore janë futur në gjumë të thellë, për të mos u zgjuar as tash, kur stinori i ri po afrohet çdoherë e më shumë, shkruan AsistiOnline.com
Në shumicën e vendeve të rajonit, por edhe të Evropës e më gjerë, skuadrat e basketbollit janë në vlugun e përgatitjeve për edicionin e ri dhe shumica e tyre janë afër kompletimit të rostereve finale me të cilat pritet të prezentohen në stinorin e ri, kjo gjë si duket nuk po ju lë përshtypje, fare skuadrave kosovare të cilat kur kanë mbetur edhe fiks dy muaj nga paralajmërimi i fillimit të stinorit të ri në Kosovë, nuk kanë bërë as më të voglën lëvizje në drejtim të konsolidimit për stinorin e ri, në përjashtim të skuadrës së Golden Eagle Yllit.
Ish-basketbollisti i spikatur dhe tash trajner në vendin tonë, Valentin Spaçi, në një prononcim për AsistiOnline.com, është shprehur të jetë i shqetësuar me gjendjen shëndetësore në vendin tonë e cila sipas tij, do ti ulte gjasat për të nisur një stinor normal të basketbollit në vendin tonë dhe që sipas tij një gjë e tillë siç po shkon situata, s’ka shanse për të ndodhur.
”Për besë duke e parë sistemin shëndetësor në vendin tonë që është para kolapsit, unë kam frikë edhe të mendoj, që gjasat për të nisur një stinor normal i basketbollit s’ka shanse. Sepse për të nisur, së paku 1 muaj përpara duhet të behet grumbullimi i rostereve të skuadrave, në këtë rast neve edhe Trepçës edhe më herët, duhet të bëjme përgatitje sepse ne luajmë Play Out’in para fillimit të sezonës. E sidomos kur duhet marrë parasysh edhe rregulloren e re për hyrje në Superligë, që ekipet kanë të drejtë të formojnë rosterin e ri. Ku në të kaluarën nuk ka qenë ashtu, por për shkak të pandemisë, Federata e ka parë të arsyeshme që të fillohet me roster të edicionit të ri. Prandaj dyshoj se mund të nisim në kohë stinorin e ri, sidomos duke marë parasysh, se që nga sot do kemi bllokim të ri të masava sportive”, thotë Spaqi.
Tutje trajneri prizrenas është i brengosur për vazhdimin e shumicës së aktiviteteve në vend pa dallime, sipas tij nëse nuk bllokohen në total të gjitha aktivitetet njerëzore për një muaj, vendi është në rrezik të kolapsojë dhe kjo do ti sillte dëme të pariparueshme basketbollit dhe sportit tonë në përgjithësi.
”Unë mendoj se në qoftë se nuk bllokohen për një muaj në total të gjitha aktivitetet në vend, ne do të kemi kolaps të vërtetë në të gjitha aktivitetet, sepse një studim(sondazh) po thuhet se në Kosovë është çdo i dyti i infektuar me COVID-19 dhe në këtë gjendje ne vështirë se mund ta vazhdojmë punën. Shpresoj që kjo të mos jetë e vërtetë, por nga faktet në teren po duket një realitet fatkeqësisht”, nënvizoi në fund, Spaqi.
Të kujtojmë se trajneri Valentin Spaqi, aktualisht e drejton ekipin e As Prishtinës dhe me kryeqytetasit sivjet ka arritur të kualifikohet në Play Out, ku do të ndeshet me ekipin mitrovicas të Trepçës, për një vend në Superligën e Kosovës në Basketboll për edicionin e ri. /AsistiOnline.com
Komentet janë të mbyllura.