Basketboll

NDAHET NGA JETA, VETERANI I BASKETBOLLIT KOSOVAR DHE ISH-PRESIDENTI I PRISHTINËS

Prishtinë(AsistiOnline) – Veterani i basketbollit kosovar dhe ish-presidenti dhe anëtari i bordit të ekipit të Sigal Prishtinës, Veton Kajtazi ka ndërruar jetë në moshën 65 vjeçare.

Lajmin e dhimbshëm për vdekjen e të ndjerit e ka dhënë klubi i Prishtinës, për të cilët z.Kajtazi kishte dhënë kontribut të dalluar ndër vite.

Në njoftimin e dhimbshëm të klubit kryeqytetas thuhet se i ndjeri, për tre dekada ishte ndër kontribuesit kryesorë të klubit dhe se kontributi i tij për Prishtinën, nuk do të harrohet asnjëherë.

Me dhembje të thellë ndajmë me ju lajmin e hidhur se para pak çastesh ndërroi jetë ish kryetari dhe anëtari i bordit të klubit Veton Kajtazi. Vetoni mbi 3 dekada ishte ndër kontribuesit më të mëdhenj të klubit tonë dhe të tij të zemrës. Mendja dhe zemra e tij gjithmonë punonin për Prishtinën. Intelekti dhe kultura e jashtëzakonshme që zotëronte e kanë veçuar personalitetin e tij në çdo situatë, madje edhe në ditët më të vështira të funksionimit të klubit, për të cilin nuk kurseu asgjë nga vetja. Energjia, pozitiviteti dhe konstruktiviteti që ai rrezatonte në çdo çast e kanë bërë të jetë njëri nga njerëzit më të dashur dhe më të respektuar të klubit, pikërisht ashtu siç e ka njohur një qytet i tërë i Prishtinës. Humbja e tij do ta lë një zbrazëti të madhe tek të gjithë ne. Mbi të gjitha do të na mungojë zotnillëku dhe buzëqeshja e tij. Duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes lutemi që shpirti i Vetonit të pushojë ne paqe!”, thuhet në komunikatën e klubit kryeqytetas.

Stafi i emisionit ekskluziv/basketbollistik – ASIST dhe AsistiOnline.com, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të ndjerit, z.Kajtazi me lutjet që shpirti i tij të pushoj i qetë në paqe, përjetë. /AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.