Basketboll

SITUATA AKTUALE TE VËLLAZNIMI, FLET PRESIDENTI I SKUADRËS GJAKOVARE

Prishtinë(AsistiOnline) – Njëra ndër skuadrat më të vjetra në basketbollin e Kosovës, Vëllaznimi i Gjakovës sivjet me vendim unanim të bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës është rikthyer në elitën kosovare të basketbollit.

Në muajin mars të këtij viti, stinori në basketbollin e Kosovës për garat seniore ishte anuluar tërësisht, si shkak i pandemisë COVID-19, ndërsa mbledhjen e vet të rregullt të mbajtur më 19 maj 2020, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës kishte vendosur që KB Vëllaznimi, i renditur në vendin e parë në Ligën e Parë, të promovohet në një rang më të lartë të garave dhe në edicionin 2020-21 të bëjë gara në Superligën e Kosovës.

Por si është gjendja e klubit nga Gjakova, para stinorit të ri në elitën kosovare dhe shumë detaje të tjera, për AsistiOnline.com i ka zbuluar, Presidenti i klubit të Vëllaznimit, Kastriot Zherka.

Menjëherë pas vendimit të FBK-së pë rikthimin tonë në Superligë, KB Vëllaznimi ka filluar të mobilizohet për projektin në Superligë. Kemi filluar në aspektin administrativ dhe ne aspektin organizativ. Mirëpo gjendja e vështirë e javëve të fundit me COVID-19, ka sjellur sfida të reja për klubin tonë. Hovin e mobilizimit e ka frenuar situata e krijuar me pandeminë”, tha fillimisht Zherka.

Planet fillestare të Vëllaznimit për stinorin e ri, kreu i klubit thotë, se i ka ‘prishur’ paksa situata me pandeminë, porse klubi pret që shpejtë të filloj stërvitjet.

Plani për sezonin e ri ka qenë i përgatitur, por për shkak të situatës me pandeminë, siç dihet nuk lejohen ushtrimet nëpër salla, por shpresoj që sa më shpejtë të krijohen kushtet dhe ti kthehemi normalitetit. Dhe besoj që deri në fillimin zyrtar të garave do të jemi gati dhe të garojmë denjësisht sepse dëshira dhe vullneti, por edhe puna nuk mungojnë”.

Tutje, numri një i gjakovarëve ka folur edhe për merkaton e klubit, ku ka potencuar ardhjet e reja që pritet të ‘aterojnë’ në skuadër.

Sigurisht që do të ketë ardhje të reja në klub, pasi që dihet se Superliga është shumë e fortë dhe konkurente. Ne pritet ta angazhojmë një trajner dhe disa lojtarë të huaj, që do të bëhen pjesë e KB Vëllaznimit në Superligë dhe të jemi “arrë” e fortë për të gjithë kundërshtarët”.

Krejt në fund, Zherka tregon synimet e klubit që drejton, për stinorin që po afron.

Synimet e mija dhe të kryesisë janë që ne të jemi një klub stabil, të tregojmë performancë të mirë gjatë gjithë kampionatit, për të arritur objektivat tona të përbashkëta të cilat i kemi. Dhe besoj që do ja dalim me sukses, sepse kur puna dhe angazhimi nuk mungon, suksesi është i pashmangshëm dhe kjo tek Vëllaznimi nuk do të mungojë”, nënvizoi në fund, Zherka.

/AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.