TRAGJIKE: VDES GJATË STËRVITJEVE MICHAEL OJO
Prishtinë(AsistiOnline) – Gjiganti amerikano-nigerian Michael Ojo ka vdekur tragjikisht sot paradite gjatë stërvitjes, lajmëron mediat beogradase. Rasti tragjik ka ndodhur pasi që qendra 216 centimetërshe e Crvena Zvezdës, Michael Ojo ishte duke bërë stërvitje individuale në stadiumin e Parizanit dhe pësoi sulm në zemër.
Sipas mediave beogradase, Ojo ishte duke vrapuar kur kolaboi dhe u rrëzua për toke dhe me urgjencë u dërgua në spital. Megjithatë, ai u soll në spital pa shenja jete dhe mjekët përpjekjet për ta kthyer në jetë ishin të kota. Pas intervenimit të mjekëve u konstatua vdekja e tij ndërsa thuhet se “qendra 27-vjeçare nuk ka pasur asnjë shenjë apo problem shëndetësor, përfshirë zemrën.”
Michael Ojo i lindur më 5 Janar 1993 në Lagos të Nigerisë, u shkollua në SHBA në Florida State University dhe pasi përfundoi kolegjin mori pjesë në kampin veror të Philadelphia 76’ers dhe u angazhua për skuadrën simotër të Sixersave në G-League, Delaware Blue Coats.
Gjiganti me 216 centimetrat e tij dhe fizikus të hatashëm, me madhësinë e këmbës numër 58 (EUR apo 21 US) për çka NIKE kishte investuar 20.000 USD për makinën speciale e cila do të krijonte patika për gjigantin.
Megjithatë, përkundër vëmendjes së madhe që mori në SHBA dhe në vend se të vazhdonte karrierën në NBA, Ojo vendosi të vinte në Evropë dhe nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale me skuadrën e ABA Ligës, FMP nga Beogradi.
Në FMP ai e kaloi vetëm një vit para se të kalonte në Crvena Zvezda ku fitoi Superkupën e ABA Ligës 2018, titullin e kampionit të ABA Ligës 2019, titullin dhe kupën e Serbisë 2018/2019 dhe gjatë edicionit të ndërprerë 2019/20 luajti edhe në Euroleague.
Aktualisht, Michael Ojo nuk e kishte vazhduar kontratën me “kuq e bardhët” e Beogradit dhe po përgatitej individualisht për stinorin e ri si lojtar i lirë.
Komentet janë të mbyllura.