Basketboll

GRANIT RUGOVA – NGA LOJTARI I KOSOVËS, NË DREJTUES TË SAJ!

Prishtinë(AsistiOnline) – Granit Rugova është një prej basketbollistëve më të mirë që ka prodhuar viteve të fundit, skuadra e Prishtinës, por edhe vetë basketbolli i Kosovës.
 
AsistiOnline.com ju sjellë një profil të ish-basketbollistit të spikatur të Prishtinës dhe me nam nga Kosova i cili është lindur më 13 nëntor 1985 në Prishtinë.
 
Rugova është basketbollist që karrierën e tij të pasur e ka nisur në klubin e vendlindjes në Prishtinë dhe pothuajse tërë vitet e kaluara me basketbollin i ka zhvilluara në kryeqytet. Por që ka qenë tejet produktiv me prishtinas dhe këtë e tregon më së miri fakti që ka fituar shumë trofe me ta. Basketbollisti kryeqytetas vetëm një stinor nuk ka qenë në Prishtinë, për aq sa ka luajtur. Në edicionin 2015/16, pas një lëndimi të gjatë që e kishte pasur, Rugova vendosi ti kthehej përsëri basketbollit dhe kishte nënshkruajtur me Bashkimin e Prizrenit me të cilët kishte luajtur suksesshëm si zakonisht.
 
Rugova me të drejtë konsiderohet si njëri prej basketbollistëve më të mëdhenj që ka nxjerrë Kosova e pasluftës. Por, karrierën e tij e kishte rrezikuar shumë seriozisht një lëndim i rëndë. Fillimisht kishte menduar se nuk do ketë më kthim në basketboll. Kishte shkuar si turist në Gjermani. Pastaj kishte shkuar edhe në Amerikë, ku madje kishte punuar paksa edhe në një restorant, në të cilin kishte parandier rikthimin në basketboll. Andaj, ishte kthyer në Kosovë për të “rilindur” në basketboll.
 
Vite më parë, kur po kalonte formë fantastike, kishte regjistruar rekord të madh në basketbollin kosovar, të cilin vështirë se do t’ia prishë dikush. Kishte arritur t’i shënojë 110 pikë gjatë një ndeshjeje, gjë që nuk dihet nëse ka ndodhur edhe diku tjetër në botë. Mirëpo, dikur nisi ta ndjekë fati i keq 9-shin e famshëm kosovar. Lëndimet vazhduan ta ndjekin hap pas hapi, sa që për pak e kishin detyruar që përfundimisht ta lë basketbollin në një moshë ideale për të vazhduar me gjuajtje për tri pikë apo edhe për ngulitje.
 
Deri në rikuperimin e plotë të lëndimit, Rugova e kishte hapur një bar në Prishtinë më shumë për qejf sesa për ta nisur një profesion të ri. Dhe, pas një kohe të gjatë kishte arritur ta rikuperojë lëndimin. Kjo nënkuptonte se Rugova do t’ia vërë çelësin barit, për t’iu kthyer basketbollit me një gëzim të jashtëzakonshëm. Po ashtu, me një besim të madh se lëndimi nuk do t’i përsëritet dhe se shpejt do të kthehej në formën e dikurshme të tij, gjë që pak kush priste, përveç Granitit.
 
I duhej një ofertë e shpejtë, të cilën ia kishte bërë Bashkimi, e të cilën pa hezitim e kishte pranuar prishtinasi. Me t’u rikthyer në basketboll, pasi nënshkroi me Bashkimin, ishte kthyer shumë shpejt në formën e tij dhe 100 për qind u përqëndrua në basketboll.
 
Fatmirësisht i shkoi gjithçka mbarë në Prizren. U bë lojtari kyç i “Portokallinjve”. Nisi të shkëlqejë si në Superligën e Kosovës ashtu edhe në Ligën Ballkanike.
 
Forma e tij secilën herë po shënonte rritje. Sezoni po shkonte drejt fundit, kurse ofrohej koha e debutimit të Përfaqësueses së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ish-selektori Arben Krasniqi me vëmendje po e përcillte ish-armën e fortë të tij që e kishte sa ishte trajner i Sigal Prishtinës. Shkëlqesia e Rugovës po e gëzonte Krasniqin, i cili i dërgoi ftesë për t’iu bashkuar Kosovës në kampanjën kualifikuese për Kampionatin Evropian “EuroBasket 2017”. Mrekullia nuk përfundoi këtu. Kjo pasi Rugovës ia hapi dyert për rikthim skuadra e zemrës, Sigal Prishtina, për të cilën edhe luajti deri sa u pensionua përfundimisht në vitin 2018.
 
POR, RUGOVA NUK I’U ËSHTË SHKËPUTUR BASKETBOLLIT AS PAS PENSIONIMIT SI LOJTAR AKTIV!
 
Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur në gusht të 2018-tës, kishte vendosur që ta emëroj Granit Rugovën, drejtor të Përfaqësueseve të Kosovës post të cilin ai e ushtron tash e dy vite.
 
Graniti vazhdon që punon dhe veprimtarinë e tij, ta zhvillojë në Prishtinë ku edhe jeton me familje. /AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.