Basketboll

TRAJNERI SEFAJA ANALIZON STINORIN E RREGULLT DHE FAVORITËT PËR TITULL NË NBA

Prishtinë(AsistiOnline) – Njëri ndër trajnerët më të mirë dhe më të trofeshëm i viteve të fundit në basketbollin e Kosovës për gjeneratat e reja, Dritëro Sefaja e ka analizuar stinorin e sivjetmë të NBA-së.

Në një bisedë për AsistiOnline.com, Sefaja fillimisht ka folur për stinorin e rregullt të garës, dy ekipet që luajnë sonte në ”play in”, si dhe sidomos favoritët për titull të NBA-së, për të cilët ka folur në detaje.

Është një stinor tepër i çuditshëm. Në kohën kur lojtarët fillojnë me e ngrit formën në maksimum dhe me e arritë një tempo të kënaqshme të lojës për play-off, këtë stinor ata u deshën të pauzonin për afër 3 muaj. Po ka luhatje të mëdha në formën e ekipeve, sidomos ekipet kryesore Clippers dhe Lakers, të cilët deri në mars kishin një formë të hatashme, kurse me të ri-filluar NBA Bubble, kanë zhgënjyer me lojën e tyre ekipore. Kurse në anën tjetër kemi ekipe si Blazers apo Suns që kanë treguar ndeshje tepër kualitative dhe ngritje të formës të lartë. Pra po e përsëris, stinor i çuditshëm. Ka qenë stinor mjaft konkurent, e sidomos Perëndimi, ku edhe lufta për play-off ka qenë tepër e nxehtë, por edhe gjatë play-off-it është vështirë të parashihet se kush do të kaloj më tutje në disa nga ndeshjet çerekfinale të perëndimit. Definitivisht është vërejtur një sjellje e ndryshme nga lojtarët, për faktin që kanë qenë ndeshjet pa shikues dhe vazhdojnë të jenë të tilla. Një prej bukurive të ndeshjeve në NBA gjithmonë ka qenë prezenca e afërt e lojtarëve me publikun”, thotë fillimisht ai.

_________________________________________________________________________________________________________________________________________________

Si e sheh, trajneri Sefaja sfidën e sontme ndërmjet, Portlandit dhe Memphisit?

Memphis ka pas një lojë shumë të mirë gjatë pjesës së parë të stinorit, mirëpo me të filluar NBA Bubble, forma e hatashme e Damian Lilard, ka bërë që loja e Portlandit të ngritet tej mase. Ai me elementet e tij individuale po e mban ekipën në lojë gjatë 3 çerekave të parë të ndeshjes, megjithate nuk e shoh si lojtar vetjak (Si p.sh. qysh ka qenë rasti i Westbrook tek OKC ose rasti i Hardenit në Rockets vitet e kaluara) pasiqë Lillard sidomos në çerekun e 4-të të lojës, mjaftë mirë po e inkuadron tërë ekipën në lojë. Momentalisht e shoh favorit Portlandin, pasi e ka një 5she mjaftë në formë, dhe besoj që të gjithë basketbolldashësit më me deshirë kanë qejf me e pa një çerekfinale Lakers-Blazers, sesa Lakers-Grizzlies”, potencon trajneri Sefaja.

_________________________________________________________________________________________________________________________________________________

Në pjesën e fundit, ai flet për ekipet favorite për titullin e NBA-së dhe tregon se ku bazohet kur e thotë një gjë të tillë.

Favoriti numër një për mendimin tim, janë LA Lakers, për këto arsye: Kanë shtatë-lartësinë e pakrahasueshme me ekipet tjera që po iu mundëson me e dominu trapezin. I kanë 2 nga 5 lojtarët më të mirë momentalisht në NBA, me Lebron James dhe Anthony Davis. Gjatë këtyre ndeshjeve të NBA Bubble, kanë pasur përqindje tepër të ulët të gjujtjeve për 3 pikë dhe gjuajtjeve të lira, dhe me ato përqindje në këto dy gjuajtje do të hasin në vështirësi, por zakonisht me të filluar play off’i në NBA, ekipet e ndryshojnë çasjen e tyre ndaj lojës, andaj besoj që loja e Lakers do të ketë ngritje gjatë ndeshjeve të play off-it. Mos të harrojmë se ekipa këtë vit do të ketë motiv shtesë për të arritur tek trofeu, duke e kujtuar legjendën e klubit, Kobe Bryant i cili ndërroi jetë këtë vit, andaj kjo veç do të ju jep lojtarëve një motiv më të madh për të arritur tek trofeu”.

Favoriti i dytë është Clippers, të cilët kanë ekipën më të thellë në NBA, me bankën më të pasur se shumica e ekipeve tjera. I kanë dy super-lojtarë me Kawhi Leonard dhe Paul Geroge, si dhe kanë bankë të thellë me shumë lojtarë kualitiativ si Montrezl Harrell, Lou Williams, Joakim Noah, Patrick Beverly, Marcus Morris, si dhe Ivica Zubac i cili që nga rifillimi i ligës ka qenë një ndër lojtarët më efektiv në NBA, i cili nuk po vërehet në lojë por me pak minutazh, po arrin shifra të larta në pikë dhe kërcime. Mos të harrojmë që nga trenerët që janë momentalisht në play-off, Clippers padyshim që e kanë trenerit më të mirë nga këta trenera që janë në play-off, Dock Rivers, pra çasja e trenerit është një përparësi e madhe e Clippersave këtë play-off. Përderisa te Lakers mangësia e tyre ishte forma e dobët e shutit, tek Clippers ajo qka vazhdon të jetë e dobët është mos-aftësia e tyre për t’u përballuar me Anthony Davis. Pa marrë parasysh faktin që 2 ndeshje Clippers i kanë fituar këtë stinor kundër Lakers, në asnjë ndeshje Clippers nuk kanë arritur bindshëm ta mbulojnë AD-në, andaj aty e shoh pikën më të dobët tek Clippers për play-off”.

Favoriti i tretë (Edhe pse thellë besoj që fituesi i finales së Perëndimit, ku me gjasë të mëdha do të jenë Clippers ose Lakers, do të jetë fituesi i stinorit) mbetet Milwaukee Bucks. Me një orar më të lehtë të ndeshjeve, ku do të përballen fillimisht me Orlandon, e pastaj me fituesin Indiana-Miami, i shoh Bucks si favorit me shku në gjysëmfinale shumë më të freskët duke mos e humbur asnjë ndeshje deri në atë fazë të play-offit. Pra freskia e lojtarve në ndeshjet e fundit mund të jetë etike. Mos të harrojmë që stinorin e kaluar ishin pikërisht lëndimet e lojtarëve të Golden State Warriors ato që vendosën për fatin e kampionit, andaj nëse një gjë e tillë ndodh me Lakers e Clippers, atëhere Bucks janë favorit absolut për titull. Përparësi tjetër e tyre është padyshim Giannis, një lojtar versatil, që çdo vit po bëhet më i kompletuar si lojtar dhe më i pandalshëm”, përfundoi analizën, trajneri Sefaja.

/AsistiOnline.com

Komentet janë të mbyllura.