Basketboll

TOLLOVI TE RAHOVECI: DORËHEQET BORDI I SKUADRËS ”VRESHTARE”

Prishtinë(AsistiOnline) – Një lajm i papritur ka ardhur sot nga skuadra që viteve të fundit, ishte shembull për organizim në basketbollin e Kosovës, KB Rahoveci.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare të klubit të Rahovecit, është bërë e ditur se pas mbajtjes së kuvendit të rregullt të punës, bordi i klubit ”vreshtarë” ka dhënë dorëheqje, specifikisht shkaku i vështirësive financiare.

Sipas njoftimit të lëshuar, është thënë se në punimet e kuvendit të klubit, dorëheqje në tërësi kanë dhënë të gjithë anëtarët e deritanishëm të bordit, tutje thuhet se dorëheqja ka ardhur përkundër përpjekjeve për ti zgjidhur problemet financiare dhe rrjedhimisht mosndarjen e mjeteve të premtuara nga Komuna e Rahovecit të cilat ishin planifikuar për edicionin e kaluar.

 

Ju sjellim postimin e plotë dhe pa ndërhyrje të KB Rahovecit:

”Mbahet Kuvendi i punës, jep dorëheqje bordi i KB Rahovecit

Klubi i Basketbollit Rahoveci ka mbajtur të enjten Kuvendin e rregullt të punës ku janë diskutuar raporti i punës dhe ai financiar. Para diskutimit është bërë një rikapitulim i punës dhe aktiviteteve të bordit, në vitet e fundit por edhe për vështirësitë financiare sidomos në muajt e fundit pas suspendimit të ligës.

Më shumicë të anëtarëve prezentë dhe me dy abstenime, në Kuvend janë votuar të dy raportet.

Në punimet e sotme të Kuvendit dorëheqje në tërësi kanë dhënë të gjithë anëtarët e deritanishëm të bordit.

Dorëheqja ka ardhur përkundër shumë përpjekjeve që të zgjidhen problemet financiare për çka ka qenë e pamundur, duke pasur parasysh edhe situatën e pandemisë, por edhe rrjedhimisht mosndarjen e mjeteve te zotuara nga Komuna e Rahovecit, për çka ishte planifikuar buxheti për edicionin e kaluar.

Duka pasur parasysh gjitha këto pengesa e probleme, bordi ka marrë vendimin më të vështirë të mundshëm për t’u dorëhequr në kohën kur qyteti i Rahoveci por edhe basketbolli në tërësi ka shijuar një atmosferë tjetër me prezencën e skuadrës sonë.

Bordi i dorëhequr falënderon gjithë ata që ndër vite kanë mbështetur klubin në ngritjen e cilësisë por edhe në plotësimin e ëndrrave të shumë gjeneratave që qyteti të ketë skuadër elitare në basketboll.

Kuvendi i KB Rahovecit në përfundim të punimeve ka marrë vendim që së shpejti të organizoj kuvendin e radhës për të zgjedhur organet e reja drejtuese të Klubit të Basketbollit Rahoveci”, thuhet në komunikatën e Rahovecit.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.