Basketboll

HISTORIA SHKRUHET SOT, ”LIGA UNIKE” E SHQIPTARËVE NË BASKETBOLL

Prishtinë(AsistiOnline) – Sot është një ditë historike për basketbollin e Kosovës dhe Shqipërisë. Pas një pune të gjatë dhe intenstive, në Tiranë, (Bulevardi Dëshmorët e Kombit, Sheshi Vëllezërit Frashëri, pranë Kullave Binjake) nga ora 19:00, do të nënshkruhet marrëveshja për formimin e Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Një ligë me tetë skuadra. Katër më të mirat nga të dy vendet. Ëndrra e kamotshme bëhet realitet për formimin e një lige mes dy vendeve shqiptare. Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Basketbollit e Shqipërisë (FSHB) kanë punuar një kohë të gjatë për këtë projekt madhor, që sot bëhet realitet.

Marrëveshjen do ta nënshkruajnë, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës. I pranishëm në këtë ceremoni do të jetë edhe Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Z.Edi Rama, i cili njëherësh do të zbulojë edhe logon e Ligës UNIKE.

Gjithashtu në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshje do të jetë edhe Presidenti i FIBA Europës, Turgay Demirel. Demirel, i cili vitin e kaluar kishte qenë në Kosovë për të ofruar përkrahje për basketbollin e Kosovës, do të mbajë një fjalim në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për të treguar se e përkrah Ligën dhe do të ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme.

Po ashtu të enjten Bordi Drejtues i Ligës UNIKE që përbëhet nga 2 anëtarë të Bordeve të FSHB-së dhe FBK-së, si dhe nga 2 Sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, do të mbajë mbledhjen e parë, ku do të emërojë edhe Kryetarin e Bordit Drejtues, e do të emërojnë stafin e zyrës së Ligës UNIKE.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.