Basketboll

RAHOVECI DHE PEJA NË TELASHE TË MËDHA FINANCIARE

Prishtinë(AsistiOnline) – Ishin ndër skuadrat më të organizuara në stinorin e kaluar në basketbollin e Kosovës, por Rahoveci dhe Peja sivjet janë në telashe të mëdha, për ta nisur edicionin e ri e lëre më të synojnë suksese, shkruan AsistiOnline.com

Të dyja skuadrat e lartëcekura janë në telashe të mëdha financiare dhe për këtë çështje është në dijeni edhe Federata e Basketbollit të Kosovës që përveç garave vendore i ka nominuar për të luajtur edhe në “Ligën Unike” me Shqipërinë që do të startojë nga sivjet, por që nuk ka zgjidhje për to.

Skudra e Rahovecit në fakt, është në “amulli” totale kjo për faktin se ditë më parë i gjithë bordi i skuadrës “vreshtare” ka dhënë dorëheqje nga detyrat që mbante me arsyetimin për gjendjen e vështirë financiare në ekip dhe mos-ndihmën e premtuar nga komuna dhe deri më tani nuk kemi ndonjë zhvillim zyrtar, qoftë për riorganizim të ri, apo thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm zgjedhor që do ta emëronte një bord të ri, që do ta ri-funksionalizonte skuadrën që viteve të fundit, padyshim ishte më e organizuara në basketbollin e Kosovës dhe se do të vinte në këtë ”deregje” nuk e kishte menduar askush.

Në situatë hiq më të mirë, nuk po kalon as skuadra e Pejës, që duket ti jenë kthyer telashet e vjetra me financa dhe kur jemi një muaj para fillimit të edicionit të ri, tek pejanët nuk duket të ketë asnjë lëvizje pozitive. Edhe pse e kanë regjistruar ekipin për të rifilluar sezonin, drejtuesit e skuadrës pejane ende janë në dilema se si do të garojnë dhe me çfarë rosteri ekipor, kur dihet se janë në krizë të madhe financiare të cilës i ka dhënë ”krahë” pandemia COVID-19, për ti vështirësuar edhe më tej gjërat, ndërsa ”amullia” tek pejanët sa vjen e shtohet.

Të dyja skuadrat e përmendura kosovare, përpos Ligës kosovare janë nominuar edhe për garim në Ligën Unike me Shqipërinë, por me këtë gjendje kaotike në radhët e tyre, një gjë e tillë duket vështirë e realizueshme, por shpresojmë që gjendja të ndryshojë për të mirë edhe pse nuk duket kështu.

Rahoveci dhe Peja, nuk janë skuadrat e vetme me telashe në Superligën e Kosovës, pasiqë përpos Yllit të Therandës dhe Ponte Prizrenit, skuadrat e tjera(asnjëra) ende nuk kanë publikuar asnjë lëvizje zyrtare për edicionin e ri dhe me të vërtetë kampionati elitarë kosovar gjendet në pikë kritike të zhvillimit të garave e që shpresojmë të zgjidhet sa më shpejtë e të nisë edicioni 2020/21.

/AsistiOnline.com/

Komentet janë të mbyllura.