Basketboll

MERAKLIU I BASKETIT LORIK MORINA, ME ANALIZË INTERESANTE PËR FINALEN, MIAMI-LAKERS

Prishtinë(AsistiOnline) – Finalja e sivjetme e NBA-së, po shihet si shumë interesante edhe nga ata që e ndjekin këtë garë me shumë entuziasëm dhe janë fansa të saj për një kohë të gjatë, meraklitë e basketit me grupin e tyre të famshëm në Facebook.

I tillë është edhe merakliu i basketbollit, Lorik Morina i cili në një bisedë me AsistiOnline.com e ka komentuar, finalen e sivjetme të NBA-së, ndërmjet Miami Heat dhe Los Angeles Lakers.

Në pjesën e parë të bisedës, Morina foli kryesisht për ekipin e Miamit.

Besoj se në ndeshjen sonte do të ndikojë shumë prezenca ose jo e Adebayo e Dragiç. Të dy janë në dyshim për të luajtur sonte dhe nëse nuk arrijnë të rikuperohen do të jetë shumë e vështirë për Miamin të dalë me fitore sonte. Nëse luajnë të dy besoj se do ta shohim një Miami krejtësisht tjetër nga loja e parë. Ajo çfarë pamë në ndeshjen e parë, nuk ësht Miami i vërtetë që jemi mësuar ta shohim, nuk pamë mbrojtje të mirë, u shkatërruan me kërcime prej Lakers si dhe nuk arritën të konkretizojnë në sulm. Madje e patën natën më të dobët sa i përket pikëve, duke shënuar vetëm 98 e që është më e ulta në këtë play off për Miamin. Miami është një nga dy ekipet më të mira këtë sezon, jo vetëm që janë një nga dy ekipet e mbetura, por e kanë mposhtur ekipin me rekordin më të mirë në ligë, Bucks si dhe një super ekip siç është, Bostoni”.

Ndërsa në pjesën e dytë, merakliu i basketit u fokusua tek Lakers dhe prognoza finale e kësaj serie, për të cilën thotë se beson në triumfin e ekipit të prirë nga LJ dhe AD, duke u bazuar në shumë indikatorë.

Në anën tjetër Lakers i gjithë ekipi ishte në formë, sidomos nga vija për 3 pikë. Do të jetë vështirë të përsëritet kjo nga ta. Sigurisht LeBron dhe Davis do ta bëjnë punën e tyre, mirëpo nëse nuk konkretizojnë lojtarët tjerë atëherë nuk do ta kenë të lehtë. Miami këtë play off nuk ka humbur ende 2 ndeshje radhazi, kështu që do të kenë paraqitje shum më të mirë sesa në ndeshjen e parë, gjithmonë nëse luajnë, Bam dhe Dragiç si pika kyçe të ekipit. Madje, Jimmy Butler në intervistë dje tha që “ne do të fitojmë”, përkundër lëndimeve apo edhe që nuk janë favorit aspak. Gjithashtu dhe Spoelstra do të bëjë ndryshime, ndoshta do të luajë me lojtarë më shtatgjatë në mënyrë që të përshtatet më shum ndaj lojtarëve të Lakers. Qëllimi i tyre për këtë sezon ka qenë arritja në finale dhe nuk kanë menduar shumë se si do të luajnë kundër një ekipi shtatëlartë si Lakers. Këtë do ta mendojnë shumë mirë, pasi të përfundojë ky sezon. Lakers në këtë seri kanë hyrë si super-favorit dhe duke parë se si shkoi ndeshja e parë, pak kush mendon që nuk do ta ngrisin trofeun për herë të 17-të. Madje nëse e shohim të njëjtin Miami, sikur ndeshjen e parë, shtrohet pyetja, se a do të arrijnë të marrin qoftë edhe një fitore të vetme”, tha Morina.

Ndeshja e dytë e kësaj serie finale, luhet sonte nga ora 03:00 pas mesnatës.

/AsistiOnline.com/

 

Komentet janë të mbyllura.