KRYE-MERAKLIU I BASKETIT, ANALIZON FINALEN E SONTME VENDIMTARE PËR TITULL TË NBA-SË
Prishtinë(AsistiOnline) – Sonte pas mesnatës, luhet ndeshja vendimtare ndërmjet, LA Lakers dhe Miami Heat e cila mund ta shpallë kampionin e ri të NBA-së.
Komentatori i NBA-së në Platformën Art Motion, njëherazit edhe administrator i grupit, ”Merakli t’basketit” në Facebook, Besim Xhemajli në një bisedë për AsistiOnline.com, ka folur në lidhje me këtë seri finale, gjasat e Miamit për një rikthim eventual, fituesin eventual të ndeshjes së sontme e cila mund të jetë vendimtare, por edhe pasojat e mos-lejimit të tifozëve në ndeshje, pra sa kanë ndikuar në ritmin më të ulët të ndeshjeve brenda parketit.
”Nuk është se e kam pritur një finale të tillë, e sidomos Miamin. Mirëpo, kjo skuadër ka treguar karakter të fortë dhe dëshirë më të madhe për të arritur deri këtu. Për Lakers nuk kam çka të shtoj. Prezenca e LeBron James nuk më ka bërë të dyshoj asnjëherë që të tejkaloj pengesat në Perëndim”.
Por, sa ka forcë skuadra e Miamit, që nga sonte të fillojë një përmbysje eventuale të ndeshjes.
”Mungesat në 3 ndeshjet e para, tashmë e kanë krijuar dallimin në këtë finale. Do të jetë vështirë për Heat që të rikthehen. ngase përballë tyre është një skuadër e uritur për të triumfuar”.
Cili ekip do ta fitojë ndeshjen e sontme dhe në çka bazohet njeriu i cili e komentoi tërë këtë seri finale të ndeshjeve në ”Art Motion”.
”Ndeshjen e sontme, besoj se do ta fitojë Lakers. Ka mbetur pak punë që LeBron James ta përmbyllë këtë sezon me titull që do të permendet si për skuadrën e Lakers e po ashtu edhe në statistikat e tij personale. Dallimi do të jetë tek komponimi i skuadrës. Siç e thashë, mungesat e Miamit, kanë qenë thelbësore në këtë seri. Tash, edhe në rast të kompletimit të rosterit, Miami është në presion dhe duke marrë parasysh moshën e re të tyre, nuk do të jenë në gjendje të marrin ‘shkëlqimin’ e tyre sikurse në përballjet me Milwakueen dhe Bostonin”,
Dhe krejt në fund, Xhemajli flet për tërë serinë finale mes skuadrave, se sa ka qenë interesante dhe se a ka ndikuar mos-prania e publikut në ritmin më të ulët të ndeshjeve brenda parketit.
”Dy ndeshjet e para kanë qenë në dominim total të Lakers. Ndërsa dy takimet e fundit kanë qenë fantastike. Mendoj se prania e shikuesve nuk ka ndikuar aq shumë tek lojtarët. Kur e them këtë bazohem në disa rekorde historike të arritura nga disa lojtarë. Ndoshta, kjo do te jetë finalja më ”fair-play” që është luajtur ndonjëherë ku nuk ka ndikuar faktori ‘home court”, tha në fund, Xhemajli.
Ndeshja e sontme finale, nisë nga ora 03:00 dhe transmetohet direkt në Art Sport 1, si dhe Klan Kosova.
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.