RAPORTI I ZGJERUAR I FINALES VENDIMTARE ME KAMPION L.A LAKERS
Prishtinë(AsistiOnline) – L.A Lakers janë kampioni i ri i ligës më të fortë të basketbollit në botë, NBA.
Lakers kanë arritur të triumfojnë ndaj Miamit, 93-106, në ndeshjen e gjashtë dhe e cila ishte vendimtare për ekipin e Frank Vogel që të pajiset me titullin e 17-të në histori të klubit, të cilin e fitoi pas 10 vjetëve pritje(2009/10).
Por si rrjedhi sfida vendimtare që e dha emrin e fituesit të garës më prestigjioze të basketbollit në botë, çerek pas çereku? Në vazhdim mund ta kuptoni përmes raportit të zgjeruar që ka përgatitur AsistiOnline.com, për ju që s’patët mundësi ta shikoni këtë ndeshje të gjashtë finale.
_______________________________________________________________________________________________________________________
Ç1. Ishte pikërisht ky çerek i pari dhe i fundit, në të cilin Miami arritën që t’ju bënin ballë ekipit të super-motivuar të Lakers, por vetëm për rezultat të ngushtë, saktësisht deri 3 minuta pa përfunduar kjo periodë, epërsia e Lakers ishte minimale, 17-16, por që deri në fund u thellua dhe çereku i parë u mbyll, 28-20 në favor të Lakers.
Ç2. Me të nisur çereku i dytë, Lakers filluan të shtojnë avantazhin përballë Miamit që assesi nuk e gjente veten në shënime, në 5 minutat e para të kësaj periode, epërsia shkoi deri në 16 pikë(46-30). Ndërsa, Heat të humbur në parket, vazhdonin të shënonin shumë pak pikë, kjo bëri që Lakers të shfrytëzonin hutinë e tyre dhe deri në fund të periodës së dytë, krijuan epërsi +28 pikëshe dhe e mbyllën pjesën e parë me rezultat, 64-36.
Ç3. Pa ndonjë ndryshim filloi edhe pjesa e dytë e ndeshjes, me Lakers që ishin shumë konkretë në lojën e tyre e Miami i humbur në parket, për ta gjetur veten assesi. Historiku i tërë këtij çereku ishte, kur Lakers në 3 minutat e fundit e arritën epërsinë më të lartë të ndeshjes, pikërisht në këtë periodë me +36 pikë diferencë(82-46), por që deri në fund të këtij çereku, ajo paksa u ‘shkri’ dhe kjo pjesë-lojë u mbyll me 29 pikë diferencë për Lakers(87-58).
Ç4. Dhe perioda e fundit e ndeshjes, që vazhdoi me dominimin e plotë të Lakers, që ishin të vendosur ta rikthenin titullin në Los Angjelos, duke e mbajtur epërsinë e krijuar gjatë tre çerekëve të parë. Krejt çka bënë Heat në këtë periudhë të fundit të lojës, ishin tentimet e tyre që ta zbusnin epërsinë e lartë të krijuar nga Lakers dhe deri në fund të ndeshjes, maksimumi i saj ishte në -13, duke bërë që ndeshja vendimtare për titullin e kampionit në NBA, të mbyllet me rezultat, 106-93 në favor të L.A Lakers.
_______________________________________________________________________________________________________________________
Pesë lojtarë shkëlqyen në këtë fitore me vlerë kampioni për ekipin e Lakers: ‘Mbreti’ James arriti shifrat magjike në basketboll, triple-double, duke realizuar, 28 pikë, 14 kërcime dhe 10 asiste, e pas tij, Anthony Davis me 19 pikë e 15 kërcime, 19 pikë pati edhe Rajon Rondo që dha kontribut shumë të çmuar në këtë fitore kyçe të Lakers, ndërsa pikë dyshifrore arritën edhe Kentavious me 17 dhe Danny Green me 11 sosh.
Tek Miami Heat që ishte tërësisht jashtë elementit si ekip, s’mjaftuan për fitore katër lojtarë me pikë dyshifrore: Bam Adebayo me 25 pikë, 10 kërcime e 5 asiste, Jimmy Butler e Jae Crowder me nga 12 pikë, si dhe Duncan Robinson me 10 pikë.
_______________________________________________________________________________________________________________________
/AsistiOnline.com/
Komentet janë të mbyllura.